Policia i shkon në banesë ish-deputetit në orën 7.00 të mëngjesit që ta shoqërojnë në rajon

Policia e Tiranës ka trokitur mëngjesin e sotëm në shtëpinë e ish-deputetit të PD, Klevis Balliu për ta dërguar në rajon.

Lajmin e bën me dije vetë ish-deputeti, i cili thotë se blutë kanë dashur ta shoqërojnë në rajon në lidhje me arrestimin e tij të dytë në një nga protestat e opozitës.

Balliu ka sqaruar se, duhej që prokuroria t’i kishte dërguar një letër për ta firmosur, jo të vinte policia në shtëpi.

“Unë kam me qindra çështje penale që janë fiktive të cilat janë bërë me urdhër të Ramës, për shkak të aksionit të opozitës. Në rastin konkret bëhet fjalë për arrestimin e dytë timin, për të cilin prokuroria sot ka mbyllur hetimit dhe kërkon që unë të shkoj dhe të firmos.

Kjo është normale, por prokuroria të dërgon një letër, nuk të vjen policia në 7 të mëngjesit duke më thënë që duhet të shkoj te rajoni i policisë, kur unë s’kam punë atje, por duhet të shkoj në prokurori bashkë me avokatin tim për firmosjen e dokumenteve”, deklaroi Balliu në “Ora News”.