Me heqjen e taksës “Rama”, do të ulim çmimin e naftës 240 lekë/litër

Lulzim BASHA

Të dashur miq ju përshëndes nga fshati Kalaç i Ndroqit. Më është dashur të paktën 10 minuta të vij nga rruga automobilistike këtu , sepse rruga është për faqe të zezë. Këtu jemi me zonjën Nevrije në një arë të mbjellë nga ajo edhe nga familja e saj dhe vajza e saj, Ana.

E kanë mbjellë me domate, një nga domatet më të preferuara për të gjithë shqiptarët besoj edhe për mua, që quhet zemërkau. Është akoma jeshile siç e shikoni, seose e kanë mbjellë në mars dhe presin ta vjelin në korrik.

Sot ndodhem në këtë fshat të Ndroqit, do të jem edhe në disa fshatra të tjera për të bashkëbiseduar me fermerët për gjendjen në të cilën ndodhen. Duhet t’ju them. paraprakishtx se nuk kam, për fat të keq, asnjë surprizë pozitive se këtu në Ndroq si kudo tjetër në Shqipëri, situata paraqitet jashtëzakonisht e vështirë.

Fermerët bëjnë gjysmën e popullsisë së vendit. Gjysma e popullsië jeton me tokën, jeton me bujqësinë dhe me blegtorinë. Janë lënë komplet jashtë vëmendjes. Nuk kanë marrë asnjë lloj mbështetje, jo vetëm tani, por për 7 vite me rradhë. Shumica dërrmuese e fermerëve as e kanë dëgjuar subvencionin e jo më ta marrin atë. Punojnë nga ora 5 e mëngjesit, siç nis puna në bujqësi, e deri ne darkë vonë. Kultivojnë, domate apo prodhime të tjera të sezonit, sipas zonës, sipas specialiteteve që kanë dhe, kur vjen puna, nuk kanë as garanci që do ta nxjerrin ne treg. Kur e nxjerrin në treg, nuk kanë as garanci që do ta shesin për të larë koston, koston e prodhimit që do të thotë, koston e farës të plehrave, jo më të punës.

Kjo është situata këtu në Kalaq të Ndroqit që jemi realisht në vijë ajrore 2 kilometra ose maksimumi 3 kilometra nga kryeqyteti, kështu është kudo anembanë vendit. Mungesë totale mbështetje, braktisje totale harresë totale, ndërkohë që qindra miliona euro të taksave që këto njerëz paguajnë për çdo gjë, nga tvsh-ja, faturat e energjisë e gjithçka tjetër, shkojnë për 4-5 oligarkë, në vend që të ndihmojnë këta njerëz punëtorë. Ata nuk kërkojnë lëmoshë, sepse punojnë nga mëngjesi në darkë, punojnë tokën e tyre. Kush ka më shumë, kush ka më pak tokë, kush ka mundësi të ketë pak sera, kush tjetër nëpër ara, por zero, zero mbështetje.

Ditën e djeshme, departamenti I financave në Partinë Demokratike bëri një analizë të pagesave të thesarit. A e dini sa para ka paguar deri më sot qeveria që mburret? Ka paguar afro 90 milion euro për të gjithë shqiptarët për tre muajt e pandemisë. Kjo do të thotë një tallje me taksapaguesit shqiptarë. Kanë marrë mesatarisht 10 euro për muaj, 10 euro për muaj kanë marrë shqiptarët nga paratë e taksave të tyre, atëherë kur kishin nevojë më shumë, atëhere kur u mbyll gjithçka, kur u mbyllën bizneset, ra konsumi, ranë të ardhurat, dolën qindra e mijëra njerëz pa punë.

Këta fermerët që shikoni këtu nuk lejoheshi të shkonin në arat e tyre për t’i punuar dhe prapë se prapë, shteti, i cili detyrohet me ligj ta dëmshperblejë dëmin që shkaktoi për shkak të masave të covid-it, ka nxjerrë nga arka e shtetit, që është arka e qytetarëve, gjithsej 93 milion euro për 3 muaj të kësaj gjëndje, që do të thotë afërsisht 10 euro në muaj për shqiptarët. Por nuk e ka bërë këtë për oligarkët. Jo për ata që marrin në dorë miliona euro për punë që nuk i kryejnë apo për punë që nuk kanë asnjë vlerë, perveçse mbushin xhepat e tyre dhe xhepat e qeveritarëve.

Thesari, po kështu, tregon që inceneratorët dhe landillet apo aferat e tjera korruptive, kanë përfituar drejtpërdrejt nga Edi Rama miliona euro gjatë kohës së pandemisë, siç janë vjedhur miliona të tjera nga tendera sekretë. Ky është realiteti, pa propagandë, pa gënjeshtra, pa regji qendrore, por siç e shohin dhe e prekin në kurrizin e tyre qindra –mijëra shqiptarë.

E pra, kështu nuk mund të vazhdohet.

Rruga e daljes nga kjo krizë është e thjeshtë. Në qoftë se një qeveri e dalë nga njerëzit, ka njerëzit në vëmendje, atëherë njerëzit do të kenë mbështetjen dhe përkrahjen dhe jo oligarkët.

Është fare e thjeshtë, se kemi dy herë më shumë buxhet se Kosova. Fermerët e Kosovës marrin 100 milionë euro subvencione në vit, prodhimet e tyre shiten në tregun e brendshëm dhe vijnë e shiten edhe në tregun tonë me çmime konkuruese, shpeshherë, më të ulëta se të fermerëve tanë, sepse kanë mbështetjen e shtetit.

Ndërsa këtu shteti ka braktisur gjysmën e popullsisë në fshat, totalisht. Po edhe atë që e quan me pacipësinë më të madhe pagë lufte, por që në fakt është dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar, edhe ajo mezi mjafton për të blerë bukën e muajit e, në shumë raste, nuk mjafton as për të larë qeranë apo faturën e dritave.

E pra, sot do të qëndroj për disa orë në këtë zonë, do të takoj fermerët, do të bisedoj me ta për hallet dhe problemet që kanë, për ndihmën që kanë nevojë nga shteti, ndihmë që nuk do të mungojë nesër me një qeveri të dalë nga vota juaj e lirë, e në veçanti për fermerët shqiptarë.

Paketa jonë është e qartë. Ne do të kemi po atë skemë subvencionesh që ka edhe Kosova, edhe Maqedonia e Veriut. Subvencionet nuk do të shkojnë tek grumbulluesit, por do të shkojnë drejtpërdrejtë tek prodhuesit. Në bazë të prodhimit do të marrin subvencion.

Prodhimet e tyre do të mbrohen dhe asnjë prodhim i huaj nuk do të hyjë përmes doganave shqiptare pa patur një tarifë të barasvlefshme me subvencionin që ata vetë marrin nga qeveritë e tyre. Prodhimi i fermerëve shqiptarë dhe fermerët shqiptarë do të jenë të parët në tregun tonë, ndërkohë që do të bëjmë gjithçka për të nxitur edhe eksportin e tyre.

Me uljen e çmimit të naftës dhe heqjen e taksës “Rama” mbi naftën që i ka kushtuar prej vitit 2014, 240 lekë të vjetra më shumë për litër çdo shqiptari, ne do të mundësojmë që edhe prodhimet tona të bëhen më konkurruese, edhe shërbimet tona të bëhen më konkurruese si në fshat, ashtu edhe në qytet.

I pyeta se cilat janë kërkesat kryesore për ndihmë dhe cilat janë vështirësitë kryesore, gjëja e parë që përmendi zonja Nevrije është rruga. “Mungon rruga dhe mbështetja për bujqësinë, sepse ne këtu punojmë”, tha fermerja, ndërsa vajza e saj gjimnaziste u shpreh se “mungon mbështetja financiare”. “Jam në gjimnaz. Mbarova vitin e parë. Sapo vij nga shkolla në orën 2 jam këtu (tek toka), pastaj në darkë bëj detyrat, mësoj. Mund të rri deri në orën 02:00 ose 03:00 duke mësuar sepse nuk del koha ditën”- tregoi Ana sakrificën e saj për të mësuar dhe për të ndihmuar familjen në punë. Ajo i tha zotit Basha se do që të bëhet mjeke, si dr. Halim Kosova, për të cilin tha se i kishte shpëtuar jetën kohë më parë.

Miq të dashur, ju përshëndes nga fshati Kalaç i Ndroqit, do të vazhdojmë takimet me Dr. Halimin për të parë situatën në terren kështu siç është, pa zbukurime, pa propagandë, Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë e halleve, por pa dyshim me ofertën tonë, me planin tonë me vendosmërinë tonë për të ndihmuar këta njerëz, për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët, për t’i nxjerrë nga kjo krizë, çka është plotësisht e mundur dhe do ta bëjmë realitet me një qeveri të dalë nga vota juaj. Ju përshëndes dhe ju uroj një ditë të mbarë.