Ballina Editorial Nën shkulmet e Pandemisë po braktisen aspiratat mbarëkombëtare të Shekullit XXI

Nën shkulmet e Pandemisë po braktisen aspiratat mbarëkombëtare të Shekullit XXI

Nga Ilir NIKOLLA

Të bën përshtypje heshtja e opinionit publik në Shqipëri për zhvillime shumë të rëndësishme kombëtare e rajonale, që mund të kushtëzojnë zhvillimin mbarëkombëtar për shekullin e ardhshëm. Asnjëherë negociata që mund të plazmojnë pozicionin e shqiptarëve në shtetin e Kosovës nuk janë kaluar me kaq heshtje sa po kalohet vigjilja e tanishme e negociatave që Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë në Uashington 27 qershorin e ardhshëm. Për këto bisedime në Tiranë ka një heshtje totale, a thua se s’i përket fare Shqipërisë kjo çështje, edhe pse në preambulën e kushtetutës e kemi sot e gjithë ditën të sanksionuar detyrimin për të mbrojtur interesin e çdo shqiptari, kudo që ndodhet, pra edhe të 2 milionë shqiptarëve në Kosovë.

Nëse s’mund të marrim ndonjë qendrim mbi paqartësinë që mbizotëron në Prishtinë rreth delegacionit që do të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Uashington, heshtja në Tiranë e diplomacisë, partive politike, por më së shumti edhe e botës akademike, që qysh prej 1878-s i ka prirë në fakt mendimit, idesë kombëtare, është me të vërtetë dëshpëruese.
Asnjë fshehje për t’i ikur të ashtuquajturit “patronazh” ndaj Kosovës nuk e justifikon butakërinë, është thjesht një fshehje pas hallit tribal në Tiranë, është më tepër një qendrim parapolitik, për të mos thënë, i spërkatur me kuislingizëm.

Këto ditë, qendrimet parapolitike të mbushin plot pezm. Në Tiranë, papërgjegjshmëria flagrante në menazhimin e krizës që solli pandemia po mbulohet me heshtjen e turpshme për zgjatjen e pafund të gjendjes së jashtëzakonshme, e prej kësaj heshtje po prodhohet edhe zgjatja e gjendjes së shkeljes së të drejtave të njeriut. Askush s’bëzan kur njoftohet se do të ndalohen tubimet politike, se nuk do të ketë paketë ndihme për bizneset dhe se do të rimbyllen kufijtë rajonalë të vendit. Në qendër është si gjithmonë interesi tribal, klanor, interesi parapolitik i klikës në pushtet.

Heshtja me të cilën u përcoll njoftimi i kryeministrit për një karantinë të dytë është tregues se si fitoret e arritura në 1990-n po bjerren përditë e se si aspirata madhore e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian është zëvendësuar me objektivin afatshkurtër të çimentosjes së pushtetit të klikës. Ngjan me betejat e qëmotshme, kur bejlerë e agallarë lobonin në Portën e Lartë që privilegjet t’u kalonin me ferman bijve të tyre. Krejt një parapolitikë, pasi për politikë mendonte Porta e Lartë, ajo bënte politikë e tregtonte toka e mish njeriu për “raison d’etat”, për arsye të shtetit pra.

Kjo arsye shteti mungon krejt dhe është trishtuese kur sheh se edhe grimcat e garancive se disa vija të kuqe shtetarët tanë nuk do t’i shkelnin kurrë, po i merr era e pandemisë. Kryeministri ynë s’humbet rast pa u tallur me burokracinë e Brukselit, s’lë asnjë “samit” me afilacion antishqiptar pa vajtur, për t’u dukur si globalist, por mungon kur është puna për të garantuar atë interesin shtetëror, “raison d’etat” për të cilën burrat e shtetit janë thirrur të jenë të tillë.

Shkulmet e pandemisë nuk po kalojnë pa pasojë në Mesdhe. Krijesa “Libi” e Italisë përfundimisht nuk ekziston më dhe me nota sarkazme, mediat italiane njoftonin sot se tashmë shteti i tyre ishte shndërruar në shtet kufitar me Turqinë dhe Rusinë, të cilat kishin instaluar përfundimisht forcat e tyre ushtarake në Libinë e ndarë mëdysh. Me fjalë të tjera, fitoret kombëtare, jo vetëm pavarësia, por edhe demokracia, vota e lirë dhe ekonomia e tregut, duhen ruajtur e mbrojtur, që të vijojë mbrothësimi.

Por nëse heshtim si gjindje e urtë ndaj agallarëve të vegjël, këto fitore mund të bien nën shkulmet e krizave të shekullit XXI. Libia ra dhe do të duhet kohë derisa të gjenden fajtorët e vërtetë të kësaj humbjeje. Pandemia mund të marrë me vete edhe të tjera “garanci” që na vinin nga shekulli XX dhe është e sigurtë se për shumë syresh, ne do të jemi në një pozitë më të pafavorshme, nëse do të vijojmë të sillemi në mënyrë parapolitike, duke i lënë të kalojnë të gjitha hyneret e kuislingëve që po përjetësohen në pushtet bash për shkak të shërbimeve a-shtetërore e kundër-shtetërore që po kryejnë.

Exit mobile version