Protesta/ Shoqata e Transportit paraljmëron qeverinë: Na plotësoni kushtet, përndryshe…

Shoqata e Transportit publik ka zhvilluar një protestë përpara zyrës së ministres, Belinda Balluku, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, me qëllim rinisjen e punës.

Ata kanë deklaruar se do të vazhdojnë të protestojnë, deri në plotësimin e kërkesave.

Ndërkaq, policia e cila ishte prezente aty, u ka kërkuar protestuesve që të largohen, pasi ndalohen grumbullimet masive, por protesta ka vazhduar.

‘Ne do të dalim çdo ditë në protestë edhe pse policia nuk po na lejon të kërkojmë të drejtat tona, na ka ardhur thika në fyt, kemi familjet pa bukë, ka shkuar atje ku nuk mban më’, thanë protestuesit.

Kjo është e disata herë që shoqata e transportit publik po proteston që qeveria të plotësojë kushtet e tyre.

‘Ne kërkojmë që 30% i kapacitetit që nuk do të lejohet të mbushet të subvencionohet nga qeveria , të hiqet akciza e naftës sepse po e marrim naftën me çmimin e njëjtë si makinat e luksit, të bëhet paketa tjetër pagës së luftës për transportin publik.

Air-Albania është hapur ndërsa ne jo akoma, 10 mijë punëtorë të transportit urban-interurban që sot janë pa asnjë mbështetje. Vatrat më të nxehta janë fasonerite dhe qëndrojnë hapur ndërsa ne jo për ata nuk ka virus ndërsa për ne po’, u shprehen drejtuesit e protestës të zhvilluar përpara Ministrisë së Transportit.