Oferta e çmendur e Chelsit për Ronaldon

Chelsea është duke planifikuar një ofertë sensacionale dhe befasuese për superyllin e Juventusit, Cristiano Ronaldo.

Calciomercato në Itali dhe Don Balon në Spanjë raportojnë se pronari i Bluve, Roman Abramovich, mund t’i shfrytëzojë raportet e tij të mira me agjentin e portugezit, Jorge Mendes, për transferimin e 35-vjeçarit.

Problemet financiare të klubeve italiane si pasojë e krizës së coronavirusit, mund të bëjnë që CR7 ta vazhdojë karrierën diku tjetër, pasi që burime të ndryshme të gazetave në Itali kanë theksuar se ai mund të largohet nga Juve gjatë verës që vjen.

Chelsea tashmë i ka siguruar shërbimet e Hakim Ziyech, ndërsa Timo Werner është një tjetër emër që mund të luajë në Stamford Bridge.

Transferimi i Ronaldos do të ishte ndryshe nga parimet e klubit anglez, mirëpo është fjala për një superyll që e ka bërë diferencën kudo ku ka luajtur, përkundër moshës që ka.

Në bazë të spekulimeve, Blutë janë të gatshëm të shpenzojnë 120 milionë euro për të dhe tashmë thuhet se Abramovich ia ka paraqitur ofertën Juventusit.

Në ndërkohë, edhe ish-klubi i portugezit, Real Madrid, është duke i shqyrtuar opsionet për kthimin e Ronaldos në Santiago Bernabeu.