Diabolizmi i një kryeministri në panik! Kush e ka fajin që QSUT është shndërruar në vatër infeksioni

Nga Bardh SPAHIA

Lugati doli prapë të tmerrojë qytetarët, duke i kërcënuar me rimbyllje!!! E ka lodhur atë rol e ngjan më shumë si klloun, që përsërit të njëjtën pjesë! Nuk pranon të marrë përgjegjësinë për pjesën e vet në shifrat e rritura të të infektuarve në institucionet publike, por u kërcënohet qytetarëve.

Kryeministri që e ka ëndërr të hyjë në histori ia doli duke vendosur një rekord të vetin, pasi si askund tjetër në këtë fazë të pandemisë, institucionet e shëndetit publik, i janë kthyer në vatra infeksioni Covid. Kjo është dicka që nuk harrohet Edi Rama, sado ta shmangësh në komunikim!
Kush e ka fajin që të infektuar ka edhe në kryeministri, institucionin nga ku luan emocionalisht me qytetarët?

Kush e ka fajin që QSUT është shndërruar në vatër infeksioni, e që ka shkuar në 7 numri i shërbimeve spitalore ku ka të infektuar me Covid? Edhe në shërbimin e endokrinologjisë u shfaq Covid-i sot, duke ia shtuar listës së vatrave të infeksionit tek Urgjenca, Kardiologjia, Pediatria, Mjekësia interne, Gastrohepatologjia e hematologjia.

Kush e ka fajin për infektimet në qendrat shëndetësore nr.8 e 9?

Kush e ka fajin që Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është një tjetër vatër e nxehtë infeksioni?

Si mundet më këtë bilanc spektakolar dështimi, të kesh kurajo e t’u kërcënohesh qytetarëve të tu me rimbyllje?

Përse nga rimbyllja, nënvizon ndalimin e protestave? Pse u tund policët qytetarëve? Kaq shumë të ka kapur frika se durimi i qytetarëve po soset nga makutëria e pushtetit tënd dhe indiferenca ndaj tyre?
Ke të drejtë të shqetësohesh, por sa gjatë mund të fshihesh pas Covidi-t, e ekspertëve militantë, që shkelin mbi veten për llogaritë e tua politike?

Frika është gjë e mirë, sepse do thotë se po kupton, se je bërë barrë për qytetarët! Të mbash shpresat se me polici do mbash karrigen është një iluzion frike, si ajo që të bëri të harrosh edhe përshëndetjen njerëzore në mesazhin kërcënues për qytetarët, atë përshëndetjen bazike që mësohet që në moshën e kopështit, por që halli i karriges të bën ta harrosh në pleqëri!!!