Shpërthen deputeti i PS: Ky vend është qeverisur nga një antishqiptar, as socialistët nuk e duan më Ramën

Deputeti i PS-së në zonën elektorale të Kurbinit, Gjetan Gjetani, në intetvistën për gazetën “Telegraf” pohon se në këto 7 vite të qeverisjes, kryeministri Rama nuk ka mbajtur asnjë zotim, nuk ka kryer asnjë reformë, ekonomia po falimenton, dhe konkretisht, në zonën e tij elektorale në Kurbin, nuk është hapur asnjë vend i ri pune, nuk është bërë asnjë investim, ndërkohë që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, nuk u mbajt premtimi i kryeministrit Rama, që për 6 muaj do rindërtoheshin shtëpinë, nuk është ndërtuar asnjë tullë. Zoti Gjetani, shprehet se në PS nuk ka më demokraci, përkundrazi, kryeministri Rama është arrogant dhe e trajton bazën e partisë si leckë. Zoti Gjetani thotë se zoti Rama nuk ka vullnet të zhvillojë zgjedhje të lira, por as socialistët nuk e besojmë më.

Zoti Gjetani, cila është sot situata në zonën tuaj elektorale?

– Unë fillimisht dua ta lidh me situatën ekonomike në Kurbin, e cila është në një gjendje me të vërtetë të vështirë. Në këto shtatë vite të qeverisjes së Edi Rames, për shkak se nuk kemi asnjë investim, ku të ndikojë në sektorin ekonomik, varfëria në Kurbini është thelluar. Nga Edi Rama, Kurbini në këto shtatë vite të qeverisjes, është parë me syrin e njerkës. Edhe ato pak investime që janë dhënë kanë qenë tendera klientëliste, të cilët janë përfituar nga miqtë e Ramës, dhe përfitimet kanë qenë të drejtpërdrejta vetëm për ato.

Akoma më e vështirë është bërë situata ekonomike me rastin e tërmetit, ku rreth 4500 banesa dolën jashtë funksionit, duke lënë mijëra familje pa shtëpi. Nga ana qeverisë nuk është bërë asnjë përpjekje për t`i ndihmuar. Premtimi i Edi Ramës, për të ndërtuar banesat e qytetarëve brenda gjashtë muajve rezultoi një mashtrim nga ana e tij. Qytetarë kanë gjetur zgjidhje vetëm me forcat e tyre. Nga ana e qeverise kemi një papërgjegjshmëri totale. Sikur të mos mjaftonte situate ekonomike, problem tjetër shumë të ndjeshëm është, administrata shtetërore. Nga Edi Rama, janë emruar drejtues të paaftë, pothuajse në të gjitha institucionet e Kurbinit.

Duke emëruar drejtues të paaftë, qytetarët sorollaten padrejtësisht për shërbimet e tyre. Edhe situata e Rendit, është e njëjta që unë kam reaguar në shtator të 2018. Për situatën e Rendit, do flas në parlament në seancën më të parë, që do të zhvillohet për problematikat e zonës elektorale.

Edhe në bujqësi janë dhënë miliona euro, por janë përfituar vetem nga fermerët që kanë lidhje me Edi Ramën, asnjë fermer i ndershëm që i plotëson kushtet nuk ka përfitu nga këto grante. Këto grante janë pëqendruar në pak duar, duke lënë pjesën dërrmuese të fermerëve drejt falimentimit.

-Sa ka qenë ndihma e shtetit për banorët dhe biznesin, për të përballuar vështirësitë e izolimit ndaj Covid-19?

– Përsa i përket periudhës së Covid 2019 në Kurbin, situata është menaxhuar shumë keq nga ana e Edi Rames. Me qindra familje më janë ankuar që edhe pse kanë qenë në kushtet për të përfituar ndihma ushqimore, kanë mbetur pa ndihmën e qeverisë. Unë këtu dyshoj se është bërë qëllimisht nga Edi Rama, pasi ka mllef për Kurbinin.

Këtë e ka deshmuar në shtatë vite të qeverisjes së tij. Edhe ato pak ndihma që janë shpërnda janë dhënë me premtimin për të votuar PS në zgjedhjet e ardhshme. Edhe bizneset në Kurbin, janë të braktisur nga Edi Rama. Nga kontaktet që unë kam pasur më biznesin, shumë pak bisnese kanë përfituar nga qeveria. Po ashtu dua të theksoj se, kanë humbur punë me dhjetra qytetarë dhe nga ana e qeverisë nuk është bërë asgjë për të mbrojtur sektorin e punësimit.

– A mund të na pohoni, cilat premtime elektorale u realizuan në këto 7 vjet qeverisje nga Rilindja, që PS- ja u dha elektoratit të Qarkut tuaj?

– Unë nuk di të jetë realizua ndonjë premtim nga ana Edi Ramës, në qarkun e Lezhës. Unë di që qytetarëve të Qarkut Lezhe Edi Rama u ka realizuar vetëm një premtim: ka sjellë njerëzit me të babëzitur në detyrat politike. Këto politikanë po zhvasin xhepat e qytetarëve.

– A mendoni, se ende elektorati i beson qeverisë, për votbesimin që i dha?

– Në këto shtatë vite, Shqipëria është qeverisur nga një anti shqiptar. Unë nuk di se çfarë besimi mund të kenë qytetarët!

– Zoti Gjetani, a mendoni se kryeministri Rama i zbatoi reformat e mëdha që premtoi?

– Kjo është një pyetje shumë e thjeshtë. Në cilën reformë të Edi Ramës mund të krenohemi! Me reformen e shëndetësisë falas, me reformën në gjyqësor, me konçesionet që janë një barrë e rëndë financiare për qytetarët, me reforma ekonomike, me goditjen e bandave kriminale? Në këto shtatë vite të qeverisjes së Edi Ramës, nuk kam konstatuar ndonjë qytetar të thjeshtë të jetë i kënaqur për aq sa citova. Akoma sot qytetarët blejnë ilaçet në spitale. Ky është një fakt dhe jo thjeshtë një opinion i imi. Kalojme të reforma gjyqësore.

Kemi dy vjet pa Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese. Pa funksionimin e këtyre dy institucionëve, jo vetem rrezikohen të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, por vendi shkon drejt një regjimi totalitar. Kam dëgjuar nga Edi Rama, se qytetarët kanë gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit.

Por nuk përmend faktin, se në çeshtjet civile rekursi në Gjykatën e Lartë, është shkak për të mos ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Apelit, sidomos në çështjet gjyqësore ku pale ndërgjyqëse është qeveria dhe ka humbur proçesin, mos ekzekutimi është absolutisht i sigurtë, vetem për shkak të rekursit. Këtë e kuptojnë shumë mirë ata qytetarë, ku kanë proçese gjyqësore në Gjykatë të Lartë. Me këto ritme dhe me grumbullin e dosjeve që janë mbledhur në Gjykatën e Lartë, një Zot e di se kur do marrin zgjidhje problemet e qytetarëve.

Për Edi Ramen, është shumë e thjeshtë, pasi aty ku i intereson atij, vendimi i gjykatës ekzekutohet edhe pa u shqyrtuar rekursi. Edhe për çeshtjet penale, është shumë e rrezikshme për qytetarët mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë. Nga eksperienca ime si avokat, nuk kanë qenë të pakta rastet, kur Apeli i ka dënuar me burg dhe Gjykata e Lartë u ka dhënë pafajësi. Edhe sot kemi me mijëra vendime penale të Gjykatës së Apelit, të cilat “flenë gjumë” në Gjykatën e Lartë. Po sikur këto vendime të jenë të gabuara? Kush i paguan kostot sociale dhe ekonomike për qytetarët? Edi Rama?

Absolutisht që kostoja paguhet nga qytetarët. Asnjë lloj kostoje nuk paguhet nga Edi Rama. Mos të flasim pastaj për ekonominë e qytetarëve të cilët shumica e tyre, po përjetojnë gjendjen ekonomike të fundvitëve 1980. Ndërsa përpjekja për të luftuar bandat kriminale nga ana e qeverisë, për shkak të “dashurisë” së Ramës, ka qenë zero. Nuk tregohet forca e shtetit, duke goditur njerëzit hallexhinj. Në këto shtatë vite të qeverisjes së Edi Ramës, forca e shtetit është treguar vetëm të njerëzit e dobët, të cilë kanë qenë pa ndonjë mbështetje. Nuk bëhesh lider, duke goditur njerëzit e dobët, por diktator.

Po ashtu mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, qeveria nuk ka asnjë pengesë jo vetëm për të shkelur të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, por të shkeli hapatzi edhe Kushtetutën, si rasti i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.

-A ka demokraci të brendshme në PS?

– Për shkak të eksperiencës time në partinë socialiste, e di shumë mirë si funksionon demokracia brenda kësaj partie. Nuk e krahasoj dot as me sistemin komunist, se në atë kohë anëtarët e partisë ishin të lirshëm të shprehnin mendimet e tyre. Sot të shikoni thjesht sjelljen e Edi Ramës me qytetarët është e lehtë për t`u kuptuar demokracia brenda kësaj partie. Rama, është arrogant me qytetarët, me deputetët e partisë socialiste, ndërsa bazën e partisë socialiste i konsideron lecka.

-Atëhere, kur PS nuk ka demokraci të brendshme për anëtarët e saj, a mund të garantojë demokraci për shqiptarët në qeverisjen e saj?

– Përsa kohë Edi Rama do të qëndrojë kryetar i PS, dhe KM, as PS dhe as shqiptarët nuk do kenë demokraci. Rama ka shkatërruar demokracinë e PS dhe të shqipëtarëve.

– A mendoni se PS-ja ka vullnet të zhvillojë zgjedhje të lira, meqë tashmë u miratua marrëveshja për Reformën Zgjedhore?

– Edi Rama, nuk ka vullnet të zhvillojë zgjedhje të ndershme. Këtë e ka kuptuar shumë mirë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit në 2019, sa e duan shqiptarët. Pasi pjesmarrja në zgjedhjet vendore ishte shumë e ulët. Por lajmi i mirë për shqiptarët është, se humbja e tij do jetë shumë e thellë, dhe s`do ketë mundësi manovrimi për të mbajtur pushtetin.

– A duhet t’i mirëbesojnë shqiptarët PS-së një mandat të tretë qeverisës?

– Shkatërrimi i ekonomisë në këto shtatë vite qeverisje, shkatërrimi i gjyqësorit, instalimi i një administrate Haxhi Qamilshe, dhe një rekord në shtimin e bandave kriminale në këto shtatë vite qeverisje, unë nuk di se çfarë duhet të bëjë Edi Rama për t`u shporrur nga pushteti.