Gruaja kërkoi vrasjen e protestuesve, futbollistit serb i shkëputet kontrata me LA Galaxy

Gjiganti i futbollit amerikan, LA Galaxy, ia ka shkëputur kontratën sulmuesit anësor serb Aleksandar Katai, shkaku i një postimi të bashkëshortes së tij, ku ajo i talli protestuesit pas vdekjes së George Floyd.

Futbollisti 29-vjeçar e pati një takim me përfaqësuesit e klubit këtë javë, pasi bashkëshortja e tij, Tea Katai, kërkoi të vriteshin protestuesit, të cilët i përshkroi si “kafshë të gërditshme” në Instagram.

LA Galaxy e lëshoi një deklaratë ku i dënoi deklaratat e Teas, duke thënë: “LA Galaxy është i vetëdijshëm për një numër të postimeve raciste dhe të dhunshme të Tea Katait, bashkëshortes së mesfushorit tonë, Aleksander Katai”.

“LA Galaxy është kundër çfarëdo lloj racizmi, përfshirë këtë nxitje të dhunës dhe tentim për t’i zhvleftësuar tentimet e të tjerëve për barazi racore”.

Të premten, klubi bëri të ditur se futbollistit i është shkëputur kontrata, ndërsa tha se për këtë u arrit marrëveshje nga të dy palët.

Aleksandar, i cili iu bashkua klubit amerikan në dhjetor, tani ka dalë me deklaratë të veten kundër komenteve të bashkëshortes së tij, duke thënë se “ato qëndrime nuk janë edhe të mijat dhe nuk tolerohen në familjen time”.

“Unë e kundërshtoj fuqishëm supremacinë e bardhë, racizmin dhe dhunën drejt njerëzve me ngjyrë. Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi. Ky është një gabim nga familja ime dhe unë marr përgjegjësi të plotë”.

“Unë do të sigurohem që familja ime dhe unë do t’i marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të mësuar, dëgjuar dhe për ta përkrahur komunitetin e njerëzve me ngjyrë”.

Afro-amerikani George Floyd vdiq javën e kaluar në Minneapolis të SHBA-së pasi Derek Chauvin, një polic i bardhë, i cili ia mbajti gjurin mbi qafë për më shumë sesa tetë minuta.

Chauvin, i cili u shkarkua nga detyra si polic të martën e javës së kaluar, u arrestua tre ditë më vonë. Ndaj tij u ngrit fillimisht akuzë për vrasje të rangut të tretë, e cila më vonë u ndryshua në akuzë për vrasje të rangut të dytë.

Vdekja e Floyd ka ngjallur protesta kundër racizmit dhe brutalitetit policor gjatë gjithë javës së kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë vazhduar edhe këtë javë, edhe pasi u arrestuan edhe tre policët e tjerë të përfshirë në këtë incident, me akuzën dhe kanë ndihmuar dhe e kanë lejuar një vrasje të rangut të dytë.