Si e paralajmëroi Berisha në 2016 lidhjen mes Veliajt dhe të ndaluarit si anëtar i Ndraghetas

Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar në vitin 2016 në parlament lidhjen e Ndraghetës pas marrëveshjes mes Flavio Tosit dhe kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj. Deklaratat e Berishës në atë kohë u përcollën me batuta prej mazhorancës, por tashmë arrestimi i Tosit sjell hije të forta dyshimi.

Arrestimi i Flavio Tosit, ish-kryebashkiakut të Veronës, si i akuzuar për korrupsion është ndjekur me vëmendje të veçantë nga media italiane.

Kjo jo vetëm për shkak të hetimit rreth 3 vjeçar, por dhe për përfshirjen e një zyrtari të lartë në marrëdhënie me Ndraghetën.

Po në Shqipëri në nëntor të vitin 2016 është zhvilluar një debat i ashpër në parlament, por dhe në selitë politike.

Në atë kohë ish-kryeministri, Sali Berisha, paralajmëroi se pas marrëveshjes me ish-kryetarin e bashkisë së Veronës për pastrimin e Tiranës qëndron Ndragheta.

Madje thëniet e Berishës në italisht sollën dhe batuta në sallën e parlamentit.

Por me ndalimin e Tosit në Itali tashmë deklaratat e Berishës shihen me shqetësim dhe në Tiranë.

Sali Berisha: Pse nuk vjen dekreti i plehrave këtu? A nuk është kjo një shkelje e Kushtetutës, e cila detyron përparësi absolute në trajtimin e dekreteve. E dini pse? Ja u them unë çfarë ndodh. Sepse këtu ka një miksturë të tmerrshme të mafies shqiptare me mafien italiane, të denoncuar zyrtarisht jo vetëm nga pala shqiptare, por dhe nga pala italiane, nga autoritetet italiane. Më 22 qershor 2016 u themelua në Tiranë kompania “Eco Albania”. Kjo kompani është bashkëpronësi e Bashkisë së Tiranës (51%) dhe kompanisë ‘ASGM Holding Albania’ (49%).

Aktualisht, kjo kompani ka një kontratë ekskluzive me Bashkinë e Tiranës, që synon ingranimin e saj në formë monopoli në trajtimin e mbetjeve të qytetit. Aksionari AGSM-Holding-Albania në dukje është një kompani e Bashkisë së Veronës, por zbardhja e interesave përbërës të kësaj kompanie zbulon se ajo është e ndarë në: AGSM Verona – 75% dhe AMIA – Verona 25% Kompania AMIA-Verona përfaqësohet nga shtetasi Andrea Miglioranzi dhe është kompani private, e cila ka një akses të veçantë në Bashkinë e Veronës.
Zoti Miglioranzi më herët ka qenë i përfshirë si përfaqësues i disa kompanive të tjera italiane, të cilat janë hetuar nga Prokuroria italiane si kompani nën kontrollin e organizatës kriminale ‘Ndragheta’.

Biznesmeni Miglioranzi është njeri tepër i afërt i kryebashkiakut të Veronës, Flavio Tosi. Kryebashkiaku Tosi nga ana tjetër ka qenë subjekt i një skandali mediatik, sepse pak kohë pasi ai kishte mohuar çdo lidhje me organizatën ‘Ndragheta’, në media u publikua një foto e tij, ku pozonte në një përqafim vëllazëror me shtetasin Antonio Giardini, i cili konsiderohet si lojtar i rëndësishëm i organizatës mafioze.Aktualisht Bashkia e Veronës dhe kompanitë AGSM-Verona dhe AMIA-Verona dyshohen si kompani nën tutelën e organizatës ‘Ndrangheta’.

Ka pasur disa sinjale në media dhe në dosje hetimore që lidhin personazhet, ndonëse një hetim më i thelluar do të nevojitej për të verifikuar dhe dokumentuar më qartë përfshirjen e interesave të organizatës mafioze në këtë histori. Nga ana tjetër, nëpërmjet pamjeve filmike dhe dokumenteve zyrtare, rezulton se ingranimi i ‘klanit Veronez’ në projektin e riciklimit ka nisur në vitin 2014, kur deputeti rilindës Artan Gaçi shkoi në Verona dhe kërkoi zyrtarisht mbështetjen në kompaninë AMIA-Verona, për të hyrë në Shqipëri.

Vizita e Gaçit u pasua nga dy vizita të Edi Ramës, i cili u takua në Itali me kryebashkiakun e Veronës Tosi. Ky i fundit erdhi më pas në Durrës ku u fol për një projekt kulturor, por interesat e vërteta të takimeve lidheshin me biznesin e riciklimit. Pas takimeve me Ramën, kryebashkiaku i Veronës Flavio Tosi, nisi kontaktet me Erion Veliajn dhe dy bashkitë nënshkruan dhe marrëveshjen mes tyre dhe krijuan kompaninë e përbashkët ‘Eco Tirana’.

Indiciet, dokumentet publike, fotot e publikuara, hetimet e disa personazheve të lidhur nga Prokuroria italiane, çojnë në gjurmët e implikimeve të organizatës ‘Ndragheta’, duke ngritur dyshime të arsyeshme se Edi Rama ka vendosur të bëjë biznes me këtë organizatë dhe t’ua japë atyre monopolin e riciklimit.
Të njëjtat kompani italiane kanë dështuar që të aplikojnë të njëjtën skemë në Rumani, Bosnje apo Kroaci.

Ortaku i Ramës në Verona i gropos plehrat në autostrada

Ish-Kryeministri Berisha pati denoncuar edhe mënyrën se si operon në Verona të Italisë organizata mafioze me plehrat.

Sali Berisha: A e dini çka bërë ky në Itali? Ka marrë plehrat dhe i ka përdorur për mbushje autostrade, i ka futur nën asfalt. Ja ku e keni (tregon foto) dhe për këtë e ka kryqëzuar drejtësia italiane. Se cila është lidhja e tij me By Pass-in herës tjetër do e keni. Ky do vijë tani të pastrojë plehrat tona. (të qeshura në sallë) T’ju sqaroj diçka. Italishtja ime është larg së qenuri ajo që duhet të jetë. Por është në atë gjendje sa kurrë në jetën time kurrë nuk kam bërë një orë mësimi italisht. E tëra vjen nga mediat dhe nga latinishtja ku unë kam qenë një student ekselent.

A doli këtu se kush qëndron prapa plehrave? Prapa plehrave qëndron Rama me Ndraghetën, të cilën e sjell në Shqipëri. Tani plehrat italiane nuk do varrosen më në autostradat e Italisë siç ka bërë kompania, por do vijnë të groposen në rrugët e Shqipërisë. Tani rrugët e vendit do shndërrohen në landfille. Kjo është arsyeja pse ju përdorni tenderat, ryshfetin për të kaluar këtu dekretin famkeq në të cilën ju faktoni veten si qeveri e plehut.