Meta: Vendi në krizë. Të shkohet sa më parë në zgjedhje të gjithëpranuara!

“Duke qenë se vendi është në krizë funksionale është e rëndësishme të shkohet sa më parë në zgjedhje të gjithëpranuara”. Kështu deklaroi Presidenti i Republikës Ilir Meta në komunikimin e përjavshëm me gazetarët.

Kreu i shtetit, duke iu referuar negociatave për reformën zgjedhore dhe ankesave të opozitës parlamentare, tha se nuk ka dyshim se supermaxhoranca aktuale nuk i ka votat e duhura për të bërë ndryshime të mira por puna është se duhen qëllime të mira.

Ai komentoi dhe qëndrimin e ambasadorëve për të cilin tha se roli pozitiv është i mirëpritur gjithmonë.

“Nuk besoj se dikush ka ndonjë dyshim se supermaxhoranca aktuale nuk i ka votat e duhura për të bërë ndryshime të mira, puna është se duhen qëllime të mira. Padyshim që sa më gjithëpërfshirës të jetë produkti aq më pozitive është për gjithë. Fakti që u shty kaq kohë reforma zgjedhore tregon mungesën e vullnetit.

Duke qenë se vendi është në krizë funksionale përfshirë dhe Kuvendi që ka probleme me përcaktimet kushtetuese është e rëndësishme të shkohet sa më parë në zgjedhje të gjithëpranuara për t’i dhënë mundësi të gjithëve të votohen dhe verifikohen nga qytetarët. Më pas shumë çështje të ndryshme duhet të adresohen por duhet të jenë në institucionet e duhura. Kemi ngelur akoma me sa duket në detaje që kanë të bëjnë me numërimin dhe çështje që nuk duhet të ekzistonin. Roli pozitiv i ndërkombëtarëve ka qenë dhe është i mirëpritur gjithmonë.

Unë mendoj se të gjithë ambasadorët e vendeve të BE-së kanë të drejtën e tyre legjitime të shprehen për çdo cenim të marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit të nënshkruar gati një dekadë më parë. Do ishte shumë mirë që çdo ambasador i BE-së sa herë ë shikonte një shkelje të MAS ta denonconte publikisht. Përpjekjet e tyre pozitive duhen vlerësuar, si të ambasadorit të BE, si të SHBA si ambasadorit europian dhe atlantik të Britanisë së Madhe”, deklaroi Meta.