Deklarata e fortë e Presidentit: Ka pasur presione për kreun e KLSH, Leskaj të qendrojë në lartësinë e detyrës

Presidenti Ilir Meta, në një deklaratë për mediat ka komentuar tentativën e mazhorancës për t’i rrëmbyer kompetencat në emërimin e kreut të KLSH-së.

“Nuk do të lejoj që të bëhet presion politik për këtë çështje. Dje i kam kërkuar kreut të KLSH-së që të qendrojë në lartësinë e detyrës deri në zgjedhjen e kryetarit të ri dhe në respekt të Kushtetutës. E ftoj Kuvendin që të votojë kandidaturën që kam propozuar, pasi është një njohës shumë i mirë i legjislacionit,  dhe e bëjnë atë një kandidat shumë të mirë për kreun e KLSH”, tha Meta.

Presidenti Meta ka komentuar dhe kthimin e ligjit për Eurobondin në Kuvend, pasi sipas tij nuk ishte i konsultuar me aktorët e nevojshëm.

“Këtë javë ktheva ligjin për shërbimet e pagesave. Shpresoj që Kuvendi të reflektojë. Këtë javë patëm një komunikim me Kuvendin për emetimin e eurobondit të ri. Shuma dhe nxitimi pa u konsultuar me të gjithë aktorët më detyruan që të jepja pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë. Kreut të KLSH-së i kërkova që të mos i bindet asnjë urdhri apo akti që mund të cenojë këtë institucion. Kuvendi të gjykojë me objektivitet kandidaturën”.