Venecia rrëzon paketën anti-shpifje të Ramës: Ligji mund të ketë një efekt frenues të fjalës së lirë dhe…

Komisioni i Venecias i sugjeron qeverisë shqiptare që të rishikojë paketën antishpifje, për të cilën Këshilli i Europës kërkon mendimin e këtij institucioni.

Sipas Venecias, draft-amendamentet e ligjit për shërbimet audiovizive nuk janë gati për zbatim në variantin aktual.

Ligji vuan nga paqartësitë dhe mund të ketë një efekt frenues të fjalës së lirë dhe fjalimit politik në Shqipëri. Venecia vëren se Autoritetit të Medias Audiovizive i jepen fuqi të mëdha administrative për median ‘online’, prandaj kërkohet të rishikohet formula e përzgjedhjes së AMA-s dhe Komitetit të Ankesave.

‘Përbërja e AMA-s dhe Komiteti i Ankesave, i cili zgjidhet nga AMA në bazë të rregullave të hartuara nga AMA, mund të krijojë shqetësime të ligjshme për pavarësinë e këtyre dy organeve. Prania e përfaqësuesve të komunitetit të medias dhe shoqërisë civile që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me forcat kryesore politike, mund të jetë një hap që forcon pavarësinë e këtij organi.

Së dyti, ‘është e paqartë nëse anëtarët e AMA-së dhe të Komitetit të Ankesave janë mjaftueshëm të pavarur nga industria e madhe e mediave, në bazë të rregullave për papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesit’.

Komisioni i Venecias kritikon edhe gjobat e larta në rast të shkeljeve të ligjit nga mediat ‘online’, që variojnë nga 100 mijë deri në 800 mijë lekë: ‘Jashtëzakonisht problematike për lirinë e mediave në kontekstin shqiptar është natyra e ashpër dhe me efekte të mëdha negative e gjobave. Gjobat jashtëzakonisht të larta paraqesin një kërcënim me efekt pothuajse aq të ftohtë sa burgimi, megjithëse më shumë tinëzarë’ mund të shihet një mënyrë indirekte për të ushtruar presion në media’.

‘Komisioni i Venecias nuk mbështet gjithshtu parashikimet ligjore të cilat nuk garantojnë pezullim të gjobave ndaj mediave ‘online’ në rast ankimimi në gjykatë’, lexohet në raport.

Komisioni i Venecias kujton se sanksionet e rënda nuk duhet të zbatohen menjëherë; procedurat gjyqësore në raste të tilla duhet të kenë një efekt pezullues dhe gjykatat duhet të kenë fuqinë të rishikojnë përmbajtjen e vendimeve në kuadrin e procedurave të cilat ofrojnë garanci themelore të gjykimit të drejtë.

Në fund, Komisioni i Venecias inkurajon autoritetet shqiptare të mbështesin krijimin e një organi vetërregullues që funksionon në mënyrë efektive dhe që përfshin të gjithë aktorët përkatës në fushën e mediave.

Reagimi i Presidencës

Tedi Blushi, Zëdhënës i Presidentit Ilir Meta, ka reaguar lidhur me opinionin e dhënë nga Komisioni i Venecias, për atë qv njihet si paketa anti-shpifje.

“Ashtu sikundër pritej, Komisioni i Venecias ka konfirmuar qëndrimin e drejtë të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për paketën anti-kushtetuese të ligjeve “anti-shpifje””, shkruan Blushi në rrjetet sociale.

Në vijim, ai sqaron se siç është sqaruar edhe me dekretet e Presidentit Meta, këto ligje jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me:

– Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;

– Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;

– Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim;

– Nuk janë në harmoni me standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut;

– Nuk janë në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Europianë të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

“Pa garantuar lirinë e shprehjes nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim.

Liria dhe pavarësia e medias e para!”, shkruan Blushi.

Komisioni i Venecias i sugjeron qeverisë shqiptare të rishikojë paketën anti-shpifje. Në draft-opinionin paraprak argumentohet se ndryshimet e propozuara nuk janë reflektuar plotësisht.

Venecia këshillon autoritetet shqiptare që t’i përgjigjen kritikave dhe të përmirësojnë ligjet. Ajo kërkon që në përmbajtjet e legjislacionit të hartohen në bazë të praktikës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Në draft theksohet gjithashtu se projekt-ndryshimet nuk janë gati për miratim në formën e tyre aktuale, pasi janë të paqarta dhe ka të ngjarë të shtypin diskutimin e lirë.

Komisioni i Venecias konsideron se projekt-ndryshimet nuk janë gati për miratim në formën e tyre aktuale. Ligji vuan nga paqartësia dhe ka të ngjarë të ketë një “efekt të ftohtë” duke shtypur diskutimin e lirë dhe fjalimin politik.

Venecia thotë se Autoritetit të Medias Audiovizive i jepen fuqi administrative për median “online”, prandaj kërkohet të rishikohet formula e përzgjedhje së AMA-s dhe Komitetit të Ankesave. Komisioni i Venecias kritikon edhe gjobat e larta në rast të shkeljeve të ligjit nga mediat “online”.

“Jashtëzakonisht problematike për lirinë e mediave në kontekstin shqiptar është natyra e ashpër dhe me efekte të mëdha negative e gjobave.

Gjobat jashtëzakonisht të larta paraqesin një kërcënim me efekt pothuajse aq të ftohtë sa burgimi, megjithëse më shumë tinëzarë mund të shihet një mënyrë indirekte për të ushtruar presion në media”, thuhet në draft-opinion.

Komisioni i Venecias do t’i dorëzojë autoriteteve shqiptare opinionin përfundimtar për Paketën-Antishpifje në datat 18-19 qershor.