Dhunimi i gazetarit Lela gjatë protestës për Teatrin, rrëshqet Lleshaj: “Pengoi policen femër gjatë kryerjes së detyrës”

Pamjet e shoqërimit me forcë nga policia të gazetarit Alfred Lela gjatë protestës ditës që u shemb Teatri Kombëtar u bënë virale dhe u dënuan gjerësisht nga opinioni publik.

Këtë të Enjte, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në një interpelancë nga Kuvendi pranoi se policia ushtroi dhunë. “Dhunë ose forcë quajeni si të doni. Veprimi kinetik i forcës kthehet në dhunë”, tha Lleshaj, ndërsa shtoi se sjellja e policisë erdhi në kundërpërgjigje të protestuesve, që sipas ministrit, penguan punën e policisë.

Ai deklaroi se dy gazetarë që u dhunuan atë ditë, mes tyre Alfred Lela, penguan punën e efektiveve femra.

“Kanë penguar punonjëse femrash të policisë ndaj kryerjes së detyrës. Të drejtën për të penguar punonjësit e policisë në punën e tyre nuk e ka askush dhe kjo përbën vepër penale”, shtoi ai.