Dhoma Italiane e Tregtisë reagon ashpër: Jemi të tronditur nga deklarata e kryeministrit shqiptar!

Një ditë pasi kryeministri Rama i quajtur shushunja investitorët e energjisë së rinovueshme, kanë reaguar ashpër shoqatat e energjisë si dhe institucionet që mbrojnë interesat e investitorëve italianë.

Në një deklaratë zyrtare, Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA), Shoqata e Investiorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), Confindustria Albania dhe Dhoma Italiane e Tregtisë (CCIA) shprehin indinjatën e thellë për deklaratën publike të kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama kundër prodhuesve të energjisë së rinovueshme, të cilët deri tani i kanë dhënë sistemit energjitik shqiptar plot 511 Mega fuqi të instaluar.

Ne jemi të tronditur se si prodhuesit e energjisë së rinovueshme, që kanë investuar deri tani mbi 630 milionë euro dhe kanë ndihmuar vendin me energjinë e prodhuar prej tyre, si dhe kanë hapur me mijëra vende punë në nivele të ndryshme, konsiderohen nga kreu i qeverisë, si “shushunja që thithin gjakun e organizmit të vendit, duke lënë shpeshherë toka të tëra pa burimin e nevojshëm ujor”.

Kjo deklaratë kundër investitorëve shqiptarë e të huaj, të ftuar për të investuar në Shqipëri, është dezinformuese, e pabazuar dhe dashakeqe. Përkundër kësaj deklarate, ne ndjejmë të nevojshme të theksojmë se HEC-et e vegjël i kanë dhënë gjak dhe do të vazhdojnë t’i japin ekonomisë shqiptare.

HEC-et e vegjël janë teknologjia më efikase dhe më e qëndrueshme si nga ana mjedisore dhe ashtu edhe përsa i përket eficencës së prodhimit të energjisë, e pranuar nga të gjithë ekspertët ndërkombëtarë të fushës.

Asnjë studim i deritanishëm, i bërë apo porositur nga qeveria, apo nga ekspertë të pavarur, nuk tregon se HEC-et e vegjël kanë sjellë thatësirë të tokave ku ato operojnë.

Sulmi i drejpërdrejtë i kryeministrit të Shqipërisë ndaj investimeve të bëra me kerkesë të qeverisë shqiptare dhe të mbështetura në studime shkencore, është në vazhdën e goditjeve të vazhdueshme që qeveria e drejtuar nga z. Edi Rama po u bën këtyre investimeve në mënyrë të padrejtë dhe antiligjore, për qëllime që nuk kanë të bëjnë aspak me përmirësimin e sistemit energjitik.

Deklarata të tilla publike janë jo vetëm të dëmshme për investitorët, por edhe për të ardhmen e ekonomisë së vendit.

HEC-et e vegjël janë një aset për sistemin energjitik shqiptar. Në pak vite ato do të prodhojnë energji me thuajse me kosto zero për konsumatorët dhe biznesin, pasi do të kthehen në pasuri të vetë shtetit me përfundimin e kontratave koncesionare.

Ne dëshirojmë të nënvizojmë se, energjia e prodhuar nga HEC-et e vegjël ka ulur në mënyrë të ndjeshme importin nga kompani të huaja të vendeve fqinje, duke u paguar edhe me një çmim më të ulët se importi, duke dhënë kështu një impakt direkt pozitiv në rritjen e ekonomisë dhe në vetë sistemin energjitik shqiptar, i cili, për fat të keq, po i faturon te prodhuesit e vegjël të energjisë dhe te konsumatorët, kostot e keqmenaxhimit nga shteti.

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA), Shoqata e Investiorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), Confindustria Albania dhe Dhoma Italiane e Tregtisë (CCIA) pyesin sot kryeministrin e Shqipërisë të thotë po kaq publikisht se kujt i shërben ky sulm i paprecendent ndaj prodhimit 100 % shqiptar të energjisë elektrike?, përfundon deklarata.

 Deklarata e Ramës

Duke prezantuar projektin per HEC e Skavicës, kryeministri Rama tha se me të i jepet fund keqtrajtimit ekstrem të rezervave të energjisë së pastër në Shqipëri, si rezultat i një ecjeje në mënyrë të improvizuar dhe i copëzimit shpesh herë shumë dëmtues të këtij potenciali me ato HEC-et e vogla që në shumë raste kanë funksionuar si shushunja që thithin pikërisht gjakun e organizmit të vendit duke lënë shpesh herë toka të tëra pa burimin e nevojshëm ujor, duke lënë shpesh herë komunitete pa mundësinë për të punuar tokën si rezultat i tharjes së burimit, duke bërë dëme të mëdha edhe nga pikëpamja e ekosistemit.

Kryeministri Rama ka prezantuar dje projektin e hidrocentralit të Skavicës, i cili do të ndërtohet nga vetë shteti. Fuqia e instaluar e tij do të jetë 210 MW./Monitor/