Absurditeti, opozitës i lejohen vetëm vëzhgues formal të procesit të numërimit të votave pa asnjë lloj të drejte

Jo shumë entuziastë dhe të lodhur pas 9 orësh diskutime me katër përfaqësuesit politikë në Këshillin për Reformën Zgjedhore, ambasadorët njoftuan se do të vijojnë përpjekjet e tyre nesër (sot) për të parë mundësinë e arritjes së një dakordësie. Në deklaratat e tyre, ambasadorët thanë se është bërë përparim, por ka dhe shumë punë për të bërë, një slogan ky që, nisur nga negociatat mes politikanëve shqiptarë, përkthehet se palët nuk janë aq afër një marrëveshjeje të dakordësuar.

Takimi i ambasadorëve me Këshillin Politik vjen pas një takimi të gjatë që zonja Kim dhe ambasadorët Soreca dhe Duncan zhvilluan në selinë blu me kryedemokratin Basha, pas dështimit të negociatave më 31 maj për gjetjen e dakordësisë në Këshill. Më e drejtpërdrejtë, duke përcaktuar vijat e kuqe, mbi të cilat duhet të ecet në negociata për Reformën Zgjedhore mes palëve, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, e bëri të qartë se nuk duhet të lëvizet nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për Reformën Zgjedhore.

“Qëllimi ynë sot dhe qëllimi ynë nesër, sepse do të ritakohemi sërish nesër, është që Shqipëria të përmbushë të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR, në mënyrë që të jetë një anëtare me të drejta të plota në BE. Nëse partitë do të arrijnë në konsensus për masa që shkojnë përtej ODIHR-it, do të biem dakord me ta. Por nëse konsensusi për këto pika që ODIHR ka kërkuar nuk arrihet, atëherë palët nuk duhet t’i vazhdojnë më këto kërkesa”, tha ambasadorja Kim.

Ndërkohë mësohet që në këshillin Politik, PS e PD janë dakordësuar për identifikimin biometrik të votuesve në të gjithë vendin. Por pika e nxehtë ku palët kanë ngecur në Këshillin Politik duket se është administrata zgjedhore dhe depolitizimi i saj. Nisur nga rekomandimi i ODIHR-it që kërkon depolitizim të administratës zgjedhore, në draftin fillestar, ekspertët e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore propozuan që të gjithë komisionerët/ numëruesit e votave të ishin të depolitizuar dhe të zgjidheshin nga radhët e mësuesve, infermierëve apo edhe qytetarë të tjerë të Shqipërisë, të cilët do plotësonin disa kritere të vendosura nga KQZ-ja. Përzgjedhja e tyre do të bëhej me short në mënyrë rastësore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.reforma

Opozita e bashkuar e kundërshtoi këtë propozim të maxhorancës, me arsyetimin se mësuesit dhe infermierët apo kushdo qoftë nga administrata shtetërore janë emëruar politikisht në rastin më të keq dhe në rastin më të mirë janë lehtësisht të shantazhueshëm nga partia në pushtet. Në këto kushte, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili depozituan propozimin e tyre. Opozita kërkonte që nga 7 anëtarë që ka Komisioni Zgjedhor, 1 të ishte i depolitizuar e të zgjidhej nga KQZ-ja dhe 6 të tjerë të propozoheshin nga partitë politike, tre nga maxhoranca dhe tre nga opozita me të drejtë vote. Propozimi i opozitës së bashkuar nuk u pranua nga maxhoranca, me arsyetimin se në rekomandimin e fundit të OSBE/ODIHR sugjerohet depolitizimi i administratës zgjedhore.

Pas shumë debatesh dhe diskutimesh, edhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, sipas burimeve, PSja erdhi me një propozim konsensual. Propozimi i maxhorancës sanksiononte që tre komisionerë të zgjidhen nga KQZ-ja me short dhe të jenë të depolitizuar, çka nënkupton se ata do të vijnë nga radhët e administratës publike etj.

Ndërsa 4 të tjerë të propozohen nga partitë politike, përkatësisht dy nga maxhoranca dhe dy nga opozita, por me kushtin që komisionerët politikë të mos kenë rol vendimmarrës, por vetëm si vëzhgues. Ende me sa duket nuk ka një zhvillim në këtë pikë nga palët politike në Këshillin Politik. Sipas nje drafti, keta komisionere do te jene formal dhe nuk do te kene asnje te drejte mbi ate qe vezhgojne dhe ky eshte absurditeti!