Kur do të hapet Gjermania për vende si Shqipëria, ministri i Jashtëm gjerman sqaron

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, bëri të ditur të mërkurën, 3.6.2020, në Berlin se Gjermania ka vendosur që prej datës 15 qershor ta heqë paralajmërimin e përgjithshëm për udhëtime në vendet e BE-së, të hapësirës Shengen dhe në Britaninë e Madhe. Paralajmërimi që ishte vendosur si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit do të zëvendësohet me udhëzime për secilin vend.

Shumica e vendeve të BE-së ndërkohë kanë vendosur që prej datës 15 qershor t’i lejojnë turistët nga vendet në fjalë që të vizitojnë vendin e tyre. Përjashtim këtu bëjnë Spanja dhe Norvegjia, sipas ministrit Maas, të cilat do t’i lejojnë pak më vonë udhëtimet turistike në to. Për Spanjën ka gjasë qysh më 21 qershor, tha ministri.

Jo ftesë automatike për udhëtim
Maas tha më tej se nuk duhet të kujtojmë se me këtë mbaroi rreziku i infektimit me Covid 19. „Tani varet nga përgjegjësia individuale që të pengojmë një vale të dytë infektimi“, tha ai para gazetarëve. Ashtu siç vlen parimi që „paralajmërimet nuk janë ndalesa absolute”, ashtu tani vlen parimi se “udhëzimet nuk duhen kuptuar si ftesa për udhëtim”. Një gjë duhet të jetë e qartë, tha Maas: “Këtë verë nuk do të ketë më aksione riatdhesimi për turistë që ndodhen në karantinë.”

Për vendet e Ballkanit Perëndimor?
Maas nuk foli enkas për vendet e Ballkanit Perëndimor, por për vendet e treta, ku hyjnë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Për këto vende ai tha se do të pritet vendimi që do të merret këtë javë nga Komisioni i BE-së, dhe se ky vendim do të trajtohet në mbledhjen e ardhshme të kabinetit qeveritar në Gjermani.

Paralajmërimet do të mbeten në fuqi për zona të veçanta

Për rajone të veçanta, do të mbeten në fuqi paralajmërimet për udhëtim, për shembull, për ato rajone, në të cilat numri i infektimeve të reja në shtatë ditët e fundit ka qenë më i lartë se 50 për 100 000 banorë.

Përveç kësaj do të merren parasysh edhe masat përkatëse të secilit vend për parandalimin e infektimit, si edhe për shërbimin mjekësor në rast infektimi. Si orientim për këto masa shërbejnë këshillat e Komisionit të BE-së, tha Maas.