Hetimet/ Prokuroria e Stambollit kërkon 10 vite burg për mikun e Ramës, Sinan Idrizi

10 vite burg për akuzën e mashtrimit për mikun e Ramës, Sinan Idrizi. Prokuroria e Stambollit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dosjen në gjykatë, me akuzën e mashtrimit të kualifikuar bashkë me kërkesën për një dënim me 10 vite heqje lirie për Idrizi.

Ai u padit nga ish-Presidenti i Galatasarajit, biznesmeni i njohur si i afërt me Presidenti Erdogan, Adnan Polat, se e ka mashtruar me 3.5 milionë Dollarë si kapar për blerjen e një kompanie karburantesh në vendin tonë. Idrizi pritet që të thirret në ditët në vijim nga Gjykata e Stambollit për t’u njohur me masën e sigurisë.

Kujtojmë që edhe Idrizi ka bërë një padi në organet turke pasi e akuzon Polatin për prishje të imazhit dhe se nuk i është përmbajtur marrëveshjes së nënshkruar.

Në qëndrimet publike në Shqipëri, Idrizi ka pohuar se nuk ka shkelur asnjë ligj, dhe se gjyqi në Stamboll do ta nxjerrë të pastër.