Basha nis ditën me takime me bizneset: Shqipëria me krizën më të thellë në rajon, ja si ndalohen efektet e krizës

“Qeveria braktisi njerëzit për oligarkët”, Basha nis ditën me takime me bizneset në njësinë 5: Shqipëria me krizën më të thellë në rajon, ja si ndalohen efektet e krizës.

KOMUNIKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, PARA NISJES SË TAKIMEVE ME BIZNESET TEK NJËSIA 5.

Mirëmëngjes të dashur miq.

Jam këtu në një nga kryqëzimet më të rënduara të rrugëve tek njësia administrative numër 5 në Tiranë, gati për të filluar një takim në ecje me bizneset e zonës dhe banorët e zonës.

Situata edhe në këtë lagje, një nga më të dendurat e Tiranës dhe pa diskutim zemër ekonomike e Tiranës, është shumë e vështirë. Gjatë ditës së djeshme kam vizituar dhjetra biznese në zonën e Xhamllikut tek njësia administrative numër 3, ndërsa sot do të jemi këtu me qytetarë, pronarë dhe me punonjës të bizneseve të vogla për të parë sesi është situata aktuale.

Është një mëngjes plot me lëvizje, por ajo që të bie në sy fillimisht është që numri i njerëzve nëpër dyqane është shumë i vogël. Në dy-tre lokale që janë të hapura, numri i atyre që po pijnë kafe është edhe më i vogël se zakonisht, por tani do të jem hap pas hapi me ta për t’i pyetur sesi është gjendja e tyre, nëse kanë marrë apo jo ndonjë ndihmë. Si është shtrëngesa që kanë përjetuar për shkak të rënies së konsumit, si është xhiro dhe për të diskutuar së bashku se çfarë duhet bërë në këtë kohë të vështirë ekonomike.

Për fat të keq, qeveria, në vend që të ishte në krah të biznesit, në krah të familjeve në nevojë, i ka braktisur dhe i ka lënë në mëshirë të fatit dhe paratë e taksave të tyre nuk kanë shkuar për t’i ndihmuar ata, por kanë shkuar përsëri për të ndihmuar një grusht njerëzish, një grusht oligarkësh. Kjo është arsyeja se pse kriza ekonomike në Shqipëri është më e thellë sesa në Kosovë, është më e thellë sesa në Maqedoninë e Veriut. Në qoftë se vazhdon kështu, do të thellohet edhe më shumë. Do të jetë kriza më e thellë në të gjithë Ballkanin. Këtë, natyrisht, nuk e dëshiron askush, nuk mund ta pranojmë as ne si opozitë.

Ndaj, kryesorja është t’i dëgjojmë drejtpërdrejt nga goja e njerëzve, e atyre që janë drejtpërdrejt të prekur, siç janë bizneset, por edhe e qytetarëve, gjendjen e tyre reale, pa propagandë, pa mashtrime, pa gënjeshtra dhe të diskutojmë bashkë me ta edhe rrugët e daljes nga kjo situatë që, nëse ka vullnet, sigurisht që ekzistojnë.

Hapi i parë do të jetë që lekët e shqiptarëve të shkojnë tek njerezit, t’i japim fund prokurorimeve korruptive, tenderave sekretë, koncesioneve që po përthithin të gjithë paratë e njerëzve, t’i kthejmë ato në pagesa direkte, në radhë të parë për konsumatorët, për familjet në nevojë, për njerëzit që kanë humbur vendet e punës, që kanë humbur xhiron e tyre. Së dyti, përfitime për çdo biznes. Statistikat e fundit tregojnë se më pak se gjysma e atyre që duhet të përfitonin nga vkm-të gjysmake të qeverisë, nuk i kanë marrë këto para akoma.

Duke ju përshëndetur nga zemra e Tiranës, ju uroj një ditë sa më të mirë dhe uroj qe keto ditë të para të çlirimit nga oraret kuturu të jenë edhe ditët e rimarrjes së shpresës, e ringritjes morale që do t’i paraprijë ringritjes politike dhe ringritjes ekonomike te vendit. Ju përshendes!