Edhe studentët do t’i bashkohen protestës së sotme në orën 16:30

Protestës së sotme në orën 16:30 të thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do t’i bashkohen dhe studentët.

Lajmin e kanë konfirmuar vetë Unioni i Këshillave Studentorë përmes një deklarate për mediat.

Ata e quajnë tinëzare dhunën e ushtruar nga uniformat blu dhe e quajnë të padrejtë dhe të turpshme shoqërimin dhe arrestimin e studentëve, artistëve dhe të rinjve në komisariatet e kryeqytetit.

Ata kanë bërë thirrje dhe për plotësimin e kërkesave të tyre pasi siç duket premtimet nga bashkia dhe qeveria ishin boshe.

Ata deklarojnë se sot do jenë në protestë për dhunën ndaj studentëve kundër arbitraritetit në vendimarrje, kundër shtypjes!

Deklarata e plotë
Unioni i Këshillave Studentorë po ndjek me vëmendje zhvillimet që po ndodhin në vendin tonë.

Ne shprehim indinjatën tonë mbi dhunën tinëzare të ushtruar nga policia e shtetit ndaj studentëve dhe të rinjve ditën e djeshme. Gjithashtu e quajmë të padrejtë dhe të turpshme shoqërimin dhe arrestimin e studentëve, artistëve dhe të rinjve në komisariatet e kryeqytetit.

Unioni i Këshillave Studentorë shpreh habinë se si kërkesa jonë legjitime për rishikim të tarifës së universiteteve dhe shumë problematika të tjera që na prekin të gjithëve për shkak të situatës së krijuar prej pandemisë së koronavirusit bien në vesh të shurdhër në qeveri, kurse ngutja për shembjen e teatrit ishte tepër e madhe.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë që sa më parë të plotësojë këkesën tonë sepse çdo ditë që kalon është një ditë më shumë me ankth dhe stres për studentët. Nuk arrijmë të kuptojmë se si merren me shumë tallje nga bashkia e Tiranës akseset që ajo duhet të ofrojë për studentët nëpërmjet kartës së studenteve, kurse për shembjen e teatrit duhej të veprohej natën dhe duke terrorrizuar qytetarët e Tiranës.

Ne studentët e Unionit të Këshillave Studentorë shprehim mbështetjen tonë ndaj Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe sot do bëhemi pjesë në protestën e thirruar nga ata në orën 16:30.

Ne sot do jemi në protestë për dhunën ndaj studentëve kundër arbitraritetit në vendimarrje, kundër shtypjes!

protest 1