Përse Ata duan ta shëmbin Teatrin?! Përse Ne e mbrojmë TEATRIN?

Nga Çlirim GJATA

Protesta e Teatrit, emër ky me të cilin ka hyrë ne histori, si protesta me gjatë në kohë – 27 muaj – një rekord ky i paparë në Europë dhe për Guiness, u ngrit pikërisht për këtë. Kundër shëmbjes; për mbrojtjen.

Filloi 20 vjet me parë nga i njëjtim person, atëherë Ministër Kulture(o Perëndi, një Ministër Kulture që shemb Teatër) dhe sot Kryeministër. Për të njëjtën arsye të thjeshtë, si atëherë ashtu dhe tani: shfrytëzimin e truallit si pasuri publike në bashkpunim me oligarkët për pasurim nëpërmjet pastrimit të parave me ndërtime dhe që sot, ka arritur jo pak por të 200milion eurove. Për këtë miratoi dy herë në Parlament, një ligj me emër personal, precedent i paparë ky në historinë e parlamentiarizmit, se kush do ta shëmbte teatrin. Dhe kur mendon se ky Kryeministër ka qënë artist, piktor. Të paktën kështu e mban vehten, se ndonjë çudi artistike të tij nuk ka parë kush.

Dje ndodhi thagma! Me VKM kjo pasuri publike, kombëtare, e trashëgimisë kulturore, historike dhe me vlera arkitekturore ndërkombëtare, ju kalua në pronësi Bashkisë Tiranë. Për 80 vite është administruar nga qeveria, që nga ato fashiste e komuniste e deri te ato demokratike këto 30 vjet(demokratike me përjashtim të kësaj të fundit, që për demokraci nuk ke ku ta kapësh). Tani ja kalojnë Bashkisë në pronësi.

Bashkinë sot e drejton një kryetar me emrin LALI, që ka marrë jo më shumë se 10% të votave të zgjedhësve, pa garë dhe pa kundërshtar. Pra, kjo pasuri, kjo vlerë kombëtare, që i ka shpëtuar fashizmit, luftës së dytë botërore, komunizmit, vitit `67, tranzicionit, vitit`97, mafias e tërmeteve, sot duhet të jetë në dorë të këtij LALIT, i cili është shprehur tepër entuziast për shëmbjen. Ai duket i gëzuar dhe po luan me këtë dhuratë, “si një fëmijë me koburen e të jatit”.

Por, jo! Kjo nuk mund të lejohet. Që nga shkurti i 2018-s, kur u rikthye fuqishëm pas 20vjetësh idea e shëmbjes, filloi protesta e gjatë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental, i konsideruar si kompleksi teatror. Artistët dhe qytetarët. Edhe me përkrahjen e opozitës reale. Si fillim një herë në javë, dy herë në jave e shumë shpejt përditë; që nga 15 korriku i 2019, 24 orë në 24, me turne. Me qindra, s`po them mijra janë qytetarët, që kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin pjesë në këtë protestë, ndërkohë me mijra janë ata që kanë firmosur peticionin e mbrojtjes. E provuan Don Kishoti me Sanço Pançën, alias Kryeministri dhe Lali i Bashkisë me lloj-lloj formash dhe me blerje personash e personalitetesh, dhe nuk ja dolën dot.

Protesta u përball me tre dimra, në të fundit 24 orëshe; me policinë fizikisht, në një betejë epike me 24 korrik dhe që përfundoi me zbythjen e Kryeministrit; me përplasje e konjuktura, presione e shkopinj nën rrota(mjeshtra janë për këto); dhe çfarë ishte më e paparashikueshmja: protesta u përball me tre tërmete të rënda për një vit e gjysëm ku godinave nuk ju shkaktua asnjë plasaritje(e pra “specialistë” të qeverisë kishin deklaruar me “kompetencë” të lartë, se një erë e fuqishme do ta dërgonte godinën e Teatrit te Pazari i Ri, atje ku Lali i vogël, siç e ka pohuar vetë, shiste fiq dikur. Kështu është kur formimi moral i këtyre ekspertëve nuk shkon më larg se pazari). Dhe e fundit pandemia. Të gjithë u mbyllën në shtëpi, me të drejtë. Protestuesit u karantinuan në Teatër, ndërsa disa artistë vinin në skenë Orwellin. Çfarë historie!! Dhe qeveria kujton se mund të shëmbi historinë. Çfarë Donkishotizmi!!

Të vazhdojmë me protestën. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e mori në dorë dhe e rivuri në funksionim Teatrin Kombëtar Shqiptar. Gjithashka falas, free, gratuit, gratis. Janë realizuar pa numerim shfaqje teatrore, koncerte, debate, promovime, ekspozita e deri dhe ceremonialitete. Per 10 muaj në atë godinë ka patur aktivitet më shumë se për 6 vite.

Po kur ndërprenë ujin dhe dritat e godinave!! Një skenë mësjetare, veprime mesjetare. “Turqit kishin rrethuar kështjellën”. E skalitur aq mjeshtërisht nga Avni Delvina në grafikat tërbuese për qeveritarët. Kur kam qënë fëmijë kam parë në atë Teatër në skenë, “Kështjella dhe helmi” të Kadaresë. Pas 40 vitesh po rivihej me një skenografi reale. Kështu, rrethuesit janë primitivët, mesjetarët, ndërsa mbrojtësit jemi ne qytetrimi. Sa herë në histori, në skena nga më të ndryshmet dhe paimagjimueshmet, është zhvilluar kjo betejë?? Pafundësisht. Sa mirë që jemi në anën e qytetërimit.

Dhe protesta vazhdon me të njëjtën konsekuencë. Tani, del Lali i Bashkisë dhe mendon se do ta shëmbë Teatrin pas gjithë kësaj lufte. Si ka mundësi që formimi intelektual i këtyre njerëzve të jetë kaq i ulët, sa të mos e kuptojë këtë luftë?! Po kush guxon ti falë gjithë këto përpjekje, mundime, humbje të gati tre viteve, deri tani, nga jeta jonë në këtë protestë dhe ta dorëzojë Teatrin ty o Kryetari i Bashkisë dhe Kryeministër, për të pastruar kriminalisht 200milion euro?? Prandaj lëre koburen aty ku e ke marrë dhe mos ju afro Teatrit. Mundohu ta marrësh me mend përballjen.

Që të kthehemi te pyetja fillestare, se përse duan ta shëmbin Teatrin Ata, të gjithë e dinë. Edhe fëmijët. Për të pastruar 200 milion euro në afera korruptive. Pra ne e dimë qëllimin e tyre, s`ka më lajm këtu.

Problemi qëndron në faktin nëse Ata, a e kanë menduar vallë pergjigjen e pyetjes se, përse Ne duam ta mbrojmë teatrin? Kur ndodhi përplasja me policinë me 24 korrik, për herë të parë kam dëgjuar një parullë: “Rroftë Teatri”. Në jetëm time, sidomos ne vitet `90, kam dëgjuar turlilloj parullash. Poshtë e rroftë “ky” e “ai”. Për herë të parë dëgjova “Rroftë Teatri”. E pra kjo ndodh sepse qytetrimi në gjithë historinë e tij e konsideron Teatrin egzistencë; e konsideron identitet; rezistencë; histori; menyrë jetese; kollonë e fuqishme se përse ka qytetërim. Nëse qeveritarët nuk e kanë kuptuar këtë, kjo është tragjedia e tyre.

Në historinë e Europës e të botës po të doni nuk kemi dëgjuar për shëmbje teatrosh nga qeveritë. Janë bombarduar qytete në luftra, kanë rënë tërmete të tmerrshëm dhe janë shkatërruar teatrot, por janë rindërtuar përsëri, po aty dhe të njëjtë. Por, që të shëmbet me vetëdije, teatri më historik i vendit, i quajtur KOMBËTAR, nga pushteti që i kërkon Europës së kulturës ta pranojë vendin tonë si anëtar,kjo nuk ka precedent të dytë në botën demokratike të paktën.
Për të gjitha këto, mendoj unë, protesta është aty sot e gjithë ditën dhe do vazhdojë si një dëshmi e luftës për qytetërim. E pamundur të mos fitojë qytetërimi.