Revolta e pensionistëve: Nuk na dhanë ndihma, na gënjyen! S’kemi para të blejmë maska nga 2 mijë lekë

Kjo fundjavë ka sjellë liri dalje për pensionistët, të cilët janë parë nëpër rrugët e qytetit apo tregje duke bërë blerje. Disa prej tyre shprehen se masat e higjienës personale apo distancimit fizik nuk funksionojnë fare.

Në vëzhgimin që kreu “Fax News” në një treg të kryeqytetit, një pensioniste u shpreh se nuk i respektojnë masatpasi nuk kanë të ardhura të blejnë maska nga 2 mijë.

“Të na japin pa lekë, jemi pensionistë, s’kemi lekë të blejmë maska nga 2 mijë lekë. Situata është shumë e rëndë. Nuk kemi të ardhura, s’kemi lekë. Çmimet të shtrenjta për ne pensionistët, nuk kemi cfarë të themi më. Të blejmë ndonjë zarzavat, as ndihma s’na dhanë, asnjë gjë, na gënjyen”, u shpreh ajo.

Që prej shpërthimit të pandemisë, është raportuar për rritje të çmimeve të masave mbrojtëse si maska dhe dezinfektues, por edhe rritje të çmimeve tek ushqimet. Një tjetër pensioniste shprehet se nuk ka ndryshim të çmimeve, ndërsa mundohet të blejë aty ku ia mban xhepi.