E keqja e Shqipërisë, je ti vetë!

Nga Ilir ALLKJA

Po o njeri, ti je e keqja këtij vendi sepse ti ke frikë të jesh i lirë, sepse je mësuar të rrish në radhën e servilave e spiunëve për kafshatën e bukës, se vetëm për atë jeton!

E keqja je ti që shpëtimin tënd e pret nga një lider i lavdëruar nga vetë ti e njerëzit si ti!
Ti nuk pret asgjë nga mendja e nga duart e tua!
Je ti që je mësuar të vrasësh duart duke i përplasur për një qelbësirë e t’ja hedhësh fëmijën tënd në krahë, madje me përulësi, një krimbi politikan, që të të ketë partia me sy të mirë , të mbash atë vend pune, se për aq jeton !

Je ti që fatin e prindërve, fatin tënd, fatin e fëmijëve të tu jua ke shtruar nën këmbë me dashuri gjithë sundimtarëve që ka njohur ky vend !

Po o njeri, je ti që rropatesh e lufton për bukën e gojës ndërkohë që ata që ti voton mbulojnë me diamante zhigolotë e dashnoret ! Ti rreh gruan tënde, ti nuk gëzon dot fëmijët e tu me një dhuratë ditëlindje, ti ske mundësi të blesh ilaçe për nënën tënde, ti blen kafshatën e bukës me listë !

Je ti që beson xhelatët e tu, je ti që kurrë nuk i ndeze bateritë e trurit që (s)ke në kafkë, dhe sa herë të mbetet ajo e ngratë kafshatë thatë, tund kokën plot dëshpërim e besim e thua , – e di partia , e di “babai”, e di udhëheqësi, mendon ai për shtëpinë e fëmijët e mij !

Je ti që megjithëse jeton në një vend ku drejtojnë me vullnetin tënd delenxhinjtë, horrat, kurvat e të çmendurit, bën me faj Zogun, Enverin, Berishën etj. por kurrë ata që po shtypin kockat e tua e fëmijëve të tu prej shtatë vitesh !

Nëqoftëse do të të kërkojnë të bësh rolin e gjelit të pjekur për fundvit, ti je gati dhe për atë rol, unë të njoh , ti nuk zhgënjen !

Ti as e ke njohur e as don që ta njohësh lirinë !