Alarm i rremë për arrestim të Paçollit

Thaçi: Kërcënimi që një ushtrues detyre i ministrit të një Qeverie në dorëheqje ia bën ish-presidentit Behgjet Pacolli se do të arrestohet nëse shkon në Kuvend për ta ushtruar mandatin e tij, është i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm për demokracinë tonë të re.

Zyberaj: I paprecedent deklarimi i ministrit Sveçla, se në rast të mbajtjes së seancës në Kuvend, shkuarja e zotit Pacolli aty si deputet, do të pasonte me arrestimin e tij.

Pacolli: Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm më ka kërcënuar me arrest nëse shkoj në Kuvend për të ushtruar detyrën time si deputet. Kjo është sfida më e madhe që ka ndodhur në parlamentin e Kosovës që nga viti 1989. Qeveria është përgjegjëse para Asamblesë, e jo deputetëve të Qeverisë. Demokracia duhet të mbizotërojë.

Vlerësimi
Ministri në detyrë i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla nuk ka deklaruar se Pacolli do të arrestohej nëse ai shkon në Kuvend për të votuar një qeveri të re. Sveçla ka deklaruar se nëse thyen vetiozlimi ka masa të tjera, nuk shkohet drejtpërdrejt në arrestim, por janë dënime mandatorë, kthimi në vetizolim apo edhe dërgohet në karantinë. Ndërsa, sa i përket pjesës së postimeve që flasin për pamundësimin që të marrë pjesë në seancën plenare të Kuvendi, Sveçla ka thënë se Pacolli njëjtë si qytetarët e tjerë që kanë hyrë në Kosovë pas mbylljes së kufijve duhet të vetizolohen për 14 ditë. Pra, atij nuk do t’i lejohet të shkonte në Kuvend pa kaluar 14 ditë.

Artikulli
Një deklaratë e ushtruesit të detyrës për Punë të Brendshme, Xhelal Sveçla të thënë mbrëmë në rast të thyerjes së vetizolimit të liderit të AKR-së Behgjet Pacollit, ka marrë tjetër kaheje nga liderët politikë.
Sveçla deklaroi në KTV se nëse Pacolli do të thyente vetizolimin për të shkuar në seancën që ishte thirrur për të shtunën, ai do të dërgohej për në karantinë, përkatësisht në Qendrën e Studenteve në kryeqytet.

“Nuk ka policë që e ruajnë, por në momentin që ai thyen vetizizolimin pa arsyeje atëherë normalisht që ka masa edhe për këtë veprim. Ka masa për këtë, nuk po them që do ta arrestojmë. Me dijen time, nëse thyen vetizolimin ka masa të tjera, nuk shkohet drejtpërdrejt në arrestim, por janë dënime mandatore, kthimi në vetizolim apo edhe dërgohet në karantinë. Unë nuk dua të paragjykojë se ai do ta thyen pa arsyeje. E pash një deklaratë të këshilltarit të tij, se ai [Pacolli] do të shkoj për të votuar. Unë i them që vendimi i seancës e ka shtyrë”, është shprehur ai.

“Jo, sepse kështu e thotë ligji, do të dërgohej në karantinë”, u përgjigj në pyetjen se a do të lejohej që Pacolli të merrte pjesë në seancën e cila pritej të mbahej sot.

Por që kjo deklaratë u keqinterpretua duke filluar nga këshilltari i Pacollit, Jetlir Zymberaj, presidenti Hashim Thaçi dhe nga vet Pacolli, se kinse Sveçla ka kërcënuar se në rast se do ta thyente vetizolimin për të shkuar në Kuvendin e Kosovës atëherë do ta arrestonin.

Ish-këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, i cili ka shkruar se Sveçla kishte paralajmëruar arrestimin e liderit të AKR-së.
“I paprecedent deklarimi i ministrit Sveqla, se në rast të mbajtjes së seancës në Kuvend, shkuarja e zotit Pacolli aty si deputet, do të pasonte me arrestimin e tij. Alarmante dhe e frikshme kjo deklaratë. Si mund të arrestohet njē deputet i zgjedhur nga populli veq pse i kryen obligimet kushtetuese?”, ka shkruar ai.

Njëjtë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka shkruar se “kërcënimi” që po i bënë Sveçla ndaj Pacollit se do të arrestohet nëse shkon në Kuvend është i papranueshëm dhe i rrezikshëm.

“Kërcënimi që një ushtrues detyre i ministrit të një Qeverie në dorëheqje ia bën ish-presidentit Behgjet Pacolli, lider partiak dhe aktualisht i zgjedhur i popullit në Kuvendin e Kosovës, se do të arrestohet nëse shkon në Kuvend për ta ushtruar mandatin e tij, është i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm për demokracinë tonë të re. Kërcënimet që vijnë nga grupi i Kurtit dhe të tjerëve duhet të ndalen urgjentisht. Kuvendi i Kosovës duhet ta adresojë këtë kërcenim dhe t’i marrë masat e nevojshme që të mbrohet demokracia në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Gjithashtu edhe vetë Pacolli ka reaguar duke thënë se u.d i Punëve të Brendshme, e ka kërcënuar për arrestim në rast që do të shkonte të votonte në Kuvend.
“Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm më ka kërcënuar me arrest nëse shkoj në Kuvend për të ushtruar detyrën time si deputet. Kjo është sfida më e madhe që ka ndodhur në parlamentin e Kosovës që nga viti 1989. Qeveria është përgjegjëse para Asamblesë, e jo deputetëve të Qeverisë. Demokracia duhet të mbizotërojë”, ka shkruar Pacolli.

Sveçla e kishte mbajtur një konferencë për media me datën 29 prill për të folur për hyrjen eventuale të Behgjet Pacollit në mënyrë ilegale. Kur ai kishte folur për hyrjen ilegale, Sveçla kishte deklaruar se Policia e Kosovës për hyrjen ilegale do të ndalonte Pacollin, mirëpo sipas tij i takon Prokurorisë me vendos nëse i njëjti duhet të arrestohet apo jo.
Të njëjtën deklaratë e ka përsëritur edhe në emision Interaktiv të KTV-së, duke thënë se ashtu kërkon ligji për kalimin ilegal të kufirit. Mirëpo, për thyerje të karantiminit, Sveçla kishte thënë se janë disa masa para ndalimit dhe arrestimit të një personi, siç është gjoba mandatorë dhe kthimi në karantinim.