Faktori Basha!

Nga Gentian GABA Gaba

Mbrëmja e së hënës ofroi një duel në distancë midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Të ftuar në dy ekrane të ndryshme, secili prej tyre po trajtonte çështjen e COVID-19 nga pozitat politike që mbajnë në këtë moment. Përkrah krahasimit mbi shikueshmërinë, Lulzim Basha udhëhoqi garën me ndjekësit që kishte përgjatë emisionit në Syri.Tv. Ishte e pamundur që shikuesi të mos goditej nga kontrasti i fortë midis dy prej protagonistëve të jetës politike shqiptare.

Nga njëra anë Rama, i cili adresonte qytetarët i mbyllur në vilën e tij me trajta bunkeri, me pamjen e një administratori rrjetesh sociale me pizhama. Ndërsa nga ana tjetër Basha, i cili shkelqeu në normalitetin dhe formalitetin e tij institucional. Një përplasje botëkuptimesh e cila në trazimin që pandemia do t’i japë edhe politikës shqiptare, ngjason me një paradhënie nga një e ardhme jo aq e largët, në të cilën modeli i përqafuar nga kreu i opozitës, do të jetë më afër nevojës për të sjellë në normalitet jetën ekonomike dhe politike të vendit.

Sigurisht sot Rama dhe Basha kanë detyra dhe përgjegjësi të ndryshme, megjithatë edhe gjatë kësaj pandemie, mbështetësit e opozitës si dhe qytetarët e paangazhuar kanë mundësinë të gjejnë te kreu i opozitës profilin e një politikani i cili është gati të marrë në dorë drejtimin e vendit.

Nuk bëhet fjalë vetëm për ngritjen e shqetësimit mbi COVID-19 në kohën kur kryeministri e quante ‘një grip sezonal’, apo për ndërthurjen e denoncimit ndaj babëzisë së korrupsionit në kohën e kolerës, me propozimet konstruktive në dobi të vendimmarrjes së ekzekutivit, por për këmbënguljen me të cilën i dha prioritet interesit publik. Edhe kur Rama harxhonte më shumë energji në sulmet e tij ndaj Bashës sesa në përballimin e koronavirusit, ky i fundit nuk pranoi ta ulte debatin politik në nivelin e një sherri pozitë-opozitë, por parashtroi propozime të cilat, nën lupën e opinionit publik, Rama ishte i detyruar të ndiqte.

Kështu ndodhi me pezullimin e disa koncesioneve dhe po ashtu me masa të tjera në fushën e ekonomisë, ndërsa ato propozime që nuk u pranuan, kalimi i ditëve i çertifikoi si të sakta. I tillë ishte ai për mbylljen e fasonerive dhe mbështetjen e sipërmarrësve dhe punëtorëve të këtij sektori, të cilat fatkeqësisht u kthyen në vatra infektimi ashtu siç kishte paralamjëruar edhe Basha.

Po ashtu edhe kërkesa për më shumë testime, si nevojë për të hulumtuar përhpjen e pandemisë me syrin nga hapja e ekonomisë, mbeti e padëgjuar derisa të shtunën e shkuar, kur numri i rasteve të reja ishte më i larti nga nisja e krizës së COVID-19, u argumentua se kjo kishte ndodhur për shkak të shtimit të numrit të testimeve. Një përgjigje që jo vetëm i jep të drejtë kërkesave të opozitës, por shpjegon me numrin e ulët të testimeve pse kurba jonë nuk ngjason me ato të vendeve të tjera. Teksa gjetkë ajo ka marrë linjat e buta të një pikture të Modigliani-t, në Shqipëri ngjason me pikturat e periudhës kubiste të Picasso-s. Emblemë e një kryministri me zanatin e piktorit, të cilit penelët e propagandës po i zbehen përballë një realiteti gjithmonë e më sfidues karshi boshllëkut që lënë pamjet dhe fjalët e bukura.

COVID-19 ka shënjestruar tashmë këtë organizëm të dobët që është qeveria Rama, dhe nuk ka respiratorë të mbajë në jetë kabinetin më të korruptuar të Europës, siç pohon edhe raporti i Transparency International, e cila, për fatin e keq të qytetarëve, do të korrë atë që ka mbjellë në këto shtatë vite.

Paçka se ngritja e taksave, tatim fitimi, tatimi i qerasë, tatimi në burim, tatim mbi pagën etj. mund të sugjeronin se ishim përballë një milingone punëtore, paketa ekonomike më e vobektë në Europë tregon krejt të kundërtën. Qeveria Rama nuk ka qenë gjë tjetër veçse një gjinkallë që i ka kënduar bukurisë së koncesioneve dhe ‘rilindjes urbane’. Reformat e ndërmarra me pohe e me bujë janë sot monumente të dështimit. Drejtësia, arsimi, shëndetësia janë një ‘ground zero’ që kërkojnë energji të reja dhe vizion të ri për t’u kthyer në sinoret e normalitetit.

Një normalitet që nuk mund të vijë vetëm kur Shqipëria të shkojë lirisht dhe ndershmërisht në zgjedhje, por edhe kur shqiptarët të kenë mbajtur një qëndrim moral ndaj dhunuesëve të tyre. Prandaj tërheqja e Ramës ndaj padisë së ngritur kundër gazetës Bild, nuk mund të shërbejë si një fitore morale e opozitës, por duhet të shërbejë si një moment vetëdijësimi se çdo dekik e keqqeverisjes, është pasojë e një pushteti që nuk mund të jetë legjitim dhe në dobi të qytetarëve nga momenti që buron nga një proces zgjedhor ilegjitim i kryer në bashkëpunim me struktura kriminale.

Kësodore, në këtë moment historik, në të cilin ajo që kemi përpara është më e vështirë sesa ajo që po lëmë pas, për të shmangur një depresion të tejzgjatur ekonomik dhe shoqëror, është e domosdoshme që të rindizet motori i demokracisë dhe të restaurohet ndarja e pushteteve, pa dialektikën e të cilëve nuk mund të ketë asnjë zhvillim.

Në këtë kontekst, i fort nga kushtet e Bundestagut, të mbështetura nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, të cilat do të gjejnë zbatim përpara takimit të ardhshëm zgjedhor, Lulzim Basha mund të kthehet në një faktor ndryshimi për Shqipërinë. Politikani me formim perëndimor, korifeu i dy nga momenteve më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare si anëtarësimi në NATO dhe liberalizmi i vizave, nga pozitat e kreut të partisë që i dha fund tragjedisë së komunizmit, ka shansin që, pas gati tri dekadash, kur ëndrra për demokraci është venitur nën presionin e autokracisë, të behet vektori i ndryshimit për të gjithë shqiptarët që nuk mahniten më nga dredhitë e propagandës ramiane.