Basha: Kurba e pandemisë po aq e çoroditur sa kryeministri. Me testime të ulëta u mbajt një tablo e rreme

Pyetje: A mendoni se ka ardhur koha të lehtësohen masat e izolimit?

Lulzim Basha: Nëse qeveria do të kishte pasur një plan, nëse qeveria do të kishte treguar transparencë dhe mirëmenaxhim për krizën, sot Shqipëria do të ishte shumë më e hapur, do të ishte në një stad shumë të përparuar të hapjes dhe nuk do të kishim këtë gjendje, ku pandemisë së virusit tani i bën konkurrencë, madje është bërë po aq e rrezikshme, për të mos thënë më e rrezikshme, pandemia ekonomike.

Pyetje: Kjo është padyshim më e rrezikshme. Për momentin vëmendjen ndaj ekonomisë, të paktën vëmendje se nuk e di pasojat, janë më të mëdha se ato të COVID-19, por ju thatë se qeveria nuk i mori masat në mënyrë e duhur zoti Basha, ndërkohë që ka shumë veta që mendojnë se qeveria reagoi më shpejt se sa duhej, më mirë se sa duhej dhe arriti të sigurojë këtë rezultat që kemi sot, 31 jetë të humbura, shumë pak të shtruar në spital, shumë pak në terapi intensive dhe vetëm shtatëqind e ca të prekur?

Lulzim Basha: Natyrisht këto janë shifrat e qeverisë dhe problemi është se kur ke shifra zyrtare të cilat nuk janë transparente por përpilohen sipas një protokolli që mbahet akoma sekret, ku numrin e testimeve e kemi më të ulëtin në rajon dhe më të ulëtin në Europë, atëherë pa diskutim ke numrin më të ulët të infektimeve dhe shqiptarëve mund t’u shesësh sapunin për djathë.

Pyetje: Pretendoni se ka shifra të tjera të vdekshmërisë dhe të infektimit në vend?

Lulzim Basha: Jo, nuk pretendoj asgjë, por mendoj se edhe një nxënës i fillores e kupton se po të testosh 5 veta, do të dalin më pak të infektuar se po të testosh 50. Dhe në raport me vendet e tjera të Europës ky është raporti, 1 me 10, 1 me 100 i testimeve në Shqipëri. Në raport me vendet e tjera të rajonit është 1 me 3, 1 me 4, në rastin më të mirë 1 me 2. Pra qeveria e ka mbajtur të ulët numrin e testimeve dhe shifrat që na shërben nuk janë shifrat e realitetit.

Këtë mund ta shikoni fare thjeshtë se vetëm para pak ditësh keni parë kurbën e raportuar zyrtarisht që ne arritëm nivel po aq të lartë sa me datën 4 prill. Dhe po të shikoni të gjithë kurbën e infeksioneve të raportuara nuk ka asnjë rregullsi. Janë po aq të çoroditura sa edhe masat, janë po aq të improvizuara sa edhe fjalimet e kryeministrit. Kurbës së Shqipërisë nuk i përafrohet asnjë vend tjetër.

Pse?! Për një arsye fare të thjeshtë: sepse numri i testimeve është mbajtur i ulët. Ne sot akoma nuk e dimë tek numri i përditshëm se sa janë testime të reja e sa janë ritestime. Ne nuk dimë nëse testimi bëhet në mënyrë inteligjente i gjithë kontakteve të personave të infektuar. Ne e dimë fare mirë se për shkak të mungesës së testimeve patëm numrin më të lartë të infektimeve tek mjekët. Pra duke mbajtur testimet e ulëta, qeveria ka vazhduar të shesë në tablo të rreme.

Me të njëjtën situatë me masa shumë më të liruara Greqia ka një numër më të ulët vdekshmërie se Shqipëria.

Pyetje: Po Maqedonia ka një numër më të lartë sesa ne?

Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë, po të shikoni shifrat në të gjithë rajonin, Shqipëria demonstron me shifrat zyrtare, se ju e keni parë që vetëm në Shkodër 2 apo 3 pacientë që ndërruan jetë i deklaruan për shkak të COVID-it dhe pastaj i ndryshuan.