Basha: Jam i gatshëm të dal në debat me Ramën, por ka dy dekada që e refuzon këtë!

Kryetari i PD, Lulzim Basha në një intervistë për emisionin “Java në RTSH” ka folur lidhur me situatën në të cilën ndodhet vendi për shkak të koronavirusit.

I pyetur nëse do të ishte dakord që të përballej në një debat publik me kryeministrin Edi Rama, Basha u përgjigj se, zotin Rama ka që prej vitit 2011 që e ftoj në debat, por ai nuk ka pranuar.

Pyetje: Do të preferonit të bënitn një debat me zotin Rama në këtë hapësirë publike, nën moderimin tonë?

Lulzim Basha: Do t’ju shkojë dëm përpjekja, sepse zotin Rama ka që prej vitit 2011 që e ftoj në debat, por ai nuk ka pranuar. Në çdo moment jam i hapur për debat, por ai ka refuzuar të vijë në debat me mua. Po mbushet dekada e dytë që refuzon të dalë në debat.

Megjithatë, dua të them diçka. Kur të vijë dita, absolutisht çdokush do të mbajë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet. Pa diskutim, këtu roli i kryeministrit është kyç.

Ndërkohë që gjendemi akoma në këtë situatë, mendoj që ua kemi borxh shqiptarëve që, në vend të spektaklit që mund të ofrojë një debat i dëshiruar, për te cilin shpreh gatishmërinë time në çdo moment, që energjia dhe fokusi i kryeministrit të jetë tek detyrat që duhen kryer dhe nuk po kryhen.