Basha: Emigrantët janë perdja pas së cilës fshihet favorizimi i klientelës kriminale, që BILD i ekspozoi si themeli i kësaj qeverie

Pyetje: Amnistia fiskale duhet apo jo? Mund të jetë një mjet për të çliruar ekonominë dhe për të dhënë një impuls të ri apo është një hapësirë për abuzim?

Lulzim Basha: Amnistitë fiskale nuk bëhen kurrë pa një konsensus të gjerë shoqëror, pa një konsensus të madh midis faktorëve të ndryshëm të gjithë shoqërisë dhe duhen në kohë të qeta, në kohë stabiliteti. Pse?! Për vetë natyrën e tyre, do të thotë që nëse 95% e qytetarëve punon në mënyrë të ndershme dhe 5% apo 10% kanë patur probleme me ligjin këta amnistohen.

Por këtu ka edhe një rrezik, sepse amnistimi i një krimi, siç është fshehja e parave të pista apo aktiviteti kriminal i fitimit të parave të pista mundet pastaj ta kthejë këtë në një inkurajim apo akoma në keq, në shoqëri të prapambetura në një normë sepse “ti bëj çfarë të duash por një ditë shteti ty do të amnistojë”. Pra, këtu kuptojmë që këtu ka një risk, kërkohet një konsensus i gjerë, kërkohet një konsultim, kërkohet një diskutim. Sa I takon situatës konkrete ku është Shqipëria, vendi ynë është në listën e vendeve për pastrimin e parave në Moneyval.

Është viti i parë që Shqipëria rikthehet në nivelet më kritike të listës së pastrimit të parave të pista, ka po kështu nga SHBA, BE dhe DASH, dhe nga DASH, ka një sërë kërkesash për të vepruar kundër pastrimit të parave. Dhe kjo është diçka të cilën ne e kemi thënë prej kohësh sepse nisi me kanabisin, vazhdoi me drograt e forta dhe kalon me pastrimin e parave. Pra, Shqipëria e ka pastrimin e parave një problem shumë të madh.

Së dyti, në këtë situatë e gjithë vëmendja e qeverisë, një qeverie që mendon për ekonominë duhet të jetë ekonomia reale. Cila është ekonomia reale?! Është ekonomia prodhuese, janë fasonët, janë turizmi, është bujqësia, blegtoria, është biznesi i vogël, këtu duhet të jetë vëmendja, këtu duhet të jetë ndihma.

Çfarë marrin ne nga kryeministri? Vëmendje thuajse zero për ekonominë reale, madje do të thoja as mirëkuptim apo të kuptuarit e ekonomisë reale. Zero konsultime me biznesin, dhjetëra herë më shumë ka patur opozita konsultime me biznesin, sesa qeveria dhe me punëdhënësit. Dhe gjithë vëmendja është tek legalizimi i kanabisit dhe aministimi i parave të pista të klientelës së qeveritarëve.

Sepse edhe ajo që thuhet se po bëhet për emigrantët është një abuzim. Në radhë të parë shumica e emigrantëve që rropaten nga mëngjesi deri në darkë nuk i mbajnë paratë poshtë jastëkut dhe nuk kanë atë sasi parash. Pas 6 vitesh emigrant në Francë do të kishte sjellë edhe Edi Rama ndonjë para si emigrant. Ne e dimë fare mire se në çfarë kushtesh punojnë emigrantët tanë.

Së dyti, le të marrim ndonjë emigrant që paska mundësi të vënë para mënjëanë. Në këtë situatë, ata e kanë të pamundur të udhëtojnë sepse janë të mbyllur kufijtë, por edhe sikur kufijtë të hapen ka rregulla në ato vende ku ata ndodhen i ndalojnë të nxjerrin mbi një sasi të caktuar nga vendi.

Pra, qartësisht emigrantët janë perdja pas së cilës fshihet qëllimi i vërtetë i këtij propozimi, që është favorizimi i klientelës kriminale të qeverisë, i atyre që BILD-i i ekspozoi si themeli i kësaj qeverie dhe që kryeministri pasi paralajmëroi me bujë të madhe se do të padiste në gjyq, u tërhoq duke vërtetuar akuzat e BILD-it, bazuar mbi materialet zyrtare të Prokurorisë shqiptare për manipulimin dhe vjedhjen e zgjedhjeve të 2017-ës dhe 2016-ës nga kjo qeveri, nga kjo parti në pushtet dhe në bashkëpunim me krimin e organizuar.

Dhe në këtë aspekt edhe amnistia që ka propozuar nuk është gjë tjetër veçse një favor më shumë ndaj malavitës dhe ndaj një grushti njerëzish që duan të përfitojnë në këto kohë, që shpresojnë se BE apo institucione të tjera që mbikëqyrin Shqipërinë nga pastrimi i parave do ta kenë mendjen tek prioritete të tjera.

Prandaj është absolutisht diçka që nuk ka për ta ndihmuar ekonominë dhe nga ana tjetër dua të theksoj se ku e ka mendjen kryeministri, të legalizojë kanabisin, të pastrojë paratë e pista. Në fakt duhet të ndihmojë ekonominë reale, duhet të ndihmojë turizimin, duhet të ndihmojë fasonët, duhet të ndihmojë biznesin prodhues, duhet të ndihmojë fermerin shqiptar për të cilët as nuk ka folur këto javë, duhet të ndihmojë të gjithë njerëzit që janë në nevojë sepse në qoftë se themi jemi një familje e madhe nuk e themi për konsum propagandistik, duhet t’i gjendemi pranë çdokujt.