Për shqiptarët ke “vdekur” me kohë, shyqyr që ka opozitë

Në një akt të paprecedentë, qeveria shqiptarë mbylli kufijtë e vendit duke lënë jashtë në mëshirë të fatit mijëra qytetarë që ankoheshin për ditë se nuk kishin ku të flinin dhe ku të hanin.

Syri.net raportoi para disa ditësh se ministri i Jashtëm është zhdukur nga ministria dhe shqiptarët kanë mbetur si zogj pa fole nëpër Europë. Qindra ndodhen vetëm në Milano, një qytet shumë i prekur nga koronavirusi.

Por shihni se çfarë ndodh, pasi kanë kaluar tre javë që i torturon qytetarët e tij, pasi krejt vendet kanë marrë me kohë masa për t’i kthyer në atdhe qytetarët e tyre, pasi opozita po thërret prej ditësh që të zgjidhet kjo situatë, tani kryeministri Edi Rama del përpara shqiptarëve dhe krenohet se do i shpëtojë me avionin e Air Albania, duke udhëtuar falas.

E bën këtë si pa të keq, sikur nuk e ka për detyrë ta bëjë.

Por bie në sy kur krenohet duke thënë “nuk kam vdekur akoma unë”.

Në fakt për shqiptarët ke ‘vdekur’ me kohë.

Ke ‘vdekur’ që kur nuk more asnjë masë edhe pse pandemia ishte te dera.

Ke ‘vdekur’ kur i le mjekët dhe spitalet shqiptarë në pikë të hallit, pasi miliardat shkojnë për miqtë e tu.

Ke ‘vdekur’ kur nuk u sigurove të blije tamponë e ventilatorë për krizën që po vinte.

Ke ‘vdekur’ kur nuk krijove as një vend normal karantine dhe asnjë sistem gjurmimi dhe identifikimi të atyre që po ktheheshin nga zonat e kuqe.

Ke ‘vdekur’ që kur mbylle një shkollë se po përhapte alarm dhe tani je bërë krye-panikuesi i shqiptarëve.

Ke ‘vdekur’ që kur i vije disa njerëz të shëndetësisë të thërrisnin ‘mirësevjen koronavirus’ dhe se ‘ky është grip normal’, kurse tani flet për male me kufoma.

Ke ‘vdekur’ pasi e ke rrënuar ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në atë pikë ku të gjithë duan të largohen nga ky vend.

Për fat, gjithmonë ka shpresë. Ka gjithmonë një opozitë që di t’i bëjë gjërat më mirë. Ka një opozitë, të cilën po e ndjek në çdo hap e propozim që ka bërë, edhe pse me vonesë.

Por vonesat kanë kosto, për të cilat do të paguash. Aty, te kutia e votimit. Aty do e kuptosh se sa i ‘vdekur’ je për shqiptarët.

Syri.net