Kriza në Itali dhe shifrat në Lombardi

Italia njoftoi të dielën një numër rekord vdekjesh brenda një dite dhe autoritetet paralajmëruan për mungesë shtretërish e pajisjesh për frymëmarrje artificiale në spitale në vendin që tashmë është shdërruar në epiqendrën evropiane të pandemisë së koronavirusit.

Sipas të dhënave zyrtare numri i të vdekurve nga virusi u rrit me 368 duke arritur në 1.809, ose më shumë se gjysma e të gjitha rasteve të regjistruara jashtë Kinës.

Vatikani ndërmori hapin drastik të anulimit të festimeve me rastin e Pashkëve planifikuar të fillonin më 5 prill, ndërsa vendi me 60 milionë banorë vazhdon të jetë në një krizë së cilës nuk i dihet fundi.

Pasdite në rrugët e Romës shiheshin vetëm disa persona duke vrapuar e disa të tjerë me çanta me ushqime ndërsa u shënua fundjava e parë e një bllokimi të përgjithshëm të vendit.

Rajoni i Lombardisë është më i goditur në vend me 1,218 vdekje si pasojë e COVID-19 gjatë tre javëve të fundit, më shumë sesa e pjesa tjetër e Evropës kombinuar së bashku.

Rajoni prej 10 milionë banorësh, pak më i vogël në sipërfaqe, por më produktiv nga pikëpamja ekonomike sesa vendi fqinj në veri të tij, Zvicra, ka të regjistruar zyrtarisht 13.227 raste të infektuarish ndërsa 767 persona ndodhen nën kujdes intensiv.