Ilir ALLKJA
Siç dihet sistemi ka tre aktorë:
Dhënësit e shërbimit, mjekët, infermierët , laborantë , teknikët , atj
Marrësit e shërbimit, pacientët tanë.
Ministria, administratë drejtuesit janë amvisuesit e sistemit, duhet të jenë kujdestarët e sistemit.
Te jesh ministër, drejtor apo shef shërbimi duhet të jetë përgjegjësi që punëttë shkojnë mirë. Të emërohesh drejtor nuk do të thotë që je më i mirë apo më i mençur se sa kolegët e tu, do të thotë që të angazhohesh që të dyja palët , dhënësit e shërbimit, bluzat e bardha të kenë gjithe kushtet e nevojshme, e pse jo optimale për t’ju shërbyer pacientëve !
Rëndom për 27 vitë që punoj mjek,në Shqipëri kam hasur modelin e drejtorit që postin e sheh si argëtim, përfitim e aspak përgjegjësi, në raste të veçanta si mjet për të shantazhuar mjekët e infermierët.
Kujtoj që deri në fund të viteve ’90, drejtorët e spitaleve ishin të gjithë mjekë shpesh personalitete në fushën e tyre.
Prej vitesh duke spekuluar me gjoja aftësitë menaxheriale, në drejtimin e spitaleve e poliklinikave u vunë “menaxherë” me bekgraund futbollistë, mësues, agronomë, ekonomistë agrarë, ish-ushtarakë, të pashkollë me diploma të blera etj.
Nuk janë të pakta rastet që drejtorë militantë që janë katapultuar nëpër poste për merita thellësisht partiake kanë përndjekur e kërcënuar mjekë apo infermierë , duke i nxjerrë të papunë, duke i linçuar publikisht ose nëpërmjet faqeve që hapin online.
Kam plot mesazhe nga mjekë e infermierë që duan të flasin për mangësitë e vështirësitë në punën e tyre, por kanë frikë !
Frikë, frikë nga drejtorit partizanë !
Ja ku kemi arritur!
Sot mjekët janë të frustruar, të nënshtruar, të frikësuar, të kërcënuar, e të pasigurtë për vendin e punës! Dhe përse ?
Vetëm sepse duhet të mbyllin gojën përballë keqmenaxhimit të skajshëm të sistemit!
Ku ndodh kjo ? Në cilin vend tjetër të globit mjeku ndjehet kështu ?
Francezët thonë mjafton një gllënjkë verë për të kuptuar se si është vera, por ne ne Shqipëri kemi provuar tërë fuçinë.
Biseda e drejtoreshës së QSH8 me mjekët e kësaj qendre është një gllënjkë e vogël nga fuçia e prishur e menaxherëve të sistemit shëndetësor.
Shqipëria sot është zyrtarisht e prekur nga Covid19!
Sistemi shëndetësor tek ne është tejet i brishtë , pas përveç se jemi vend i varfër, paratë publike janë përdor për konçensione korruptive !
Sot mjekët që kërkojnë doreza, ujë, sapun, alkool ndërsa ‘menaxherët’ ju kërkojnë të mbyllin gojën , e akoma më skandaloze kur njëra nga këto “menaxhere” deklaron se doreza nuk kemi patur ndonjëherë(!!!), kur dihet që dorezat janë rutina e përditshme e punës së mjekut.
Qershia mbi “tortën e menaxhimit” është përfshirja e turpshme e kryeministrit, i cili me arrogancë kërcënon e denigron mjeken që kërkon maska, doreza,alkool, ujë e sapun…(!) në vend të merret me drejtoreshën e cila nuk ka krijuar kushtet bazë për dhënien e shërbimit !
Zotërinj politikbërës të sistemit, përpiquni të dilni nga guaska juaj e pandershmërisë, e arrogancës e papërgjegjshmërisë, të paktën për sa kohë jemi nën darën e epidemisë së Covid19 !
Mendoni të kurseni jetën e stafeve mjekësore, ato do ju shërbejnë edhe njerzve tuaj të afërm e ndoshta edhe ju !