Qytetari plaçkitet nga policët e Veliajt: Më morën edhe tortën që do ua çoja fëmijëve…

Një burrë që u dërgua në komisariat nga policia bashkiake për përvetësim të parkimeve, akuzoi gjithashtu këta të fundit se i kishin rrëmbyer gjithçka kishte me vete. Çështja nisi pasi patrullat e përgjithshme u njoftuan në radio për të shoqëruar në polici një qytetar që po konfliktohej. Kur të dyja palët përfunduan para oficerëve të policisë gjyqësore, secili prej tyre akuzoi si hajdut palën tjetër.

Qytetari quhet Preng Lurthi. Ai u kap nga policia bashkiake teksa po vendoste bidonë në një parkim dhe sipas bashkiakëve ky veprim ishte i paligjshëm, pasi përvetëson atributet e inspektorëve të Tirana Parking –tha polici Boris Alimema. Sipas procesverbalit që Gazeta “Si” disponon, Lurthi e pranon akuzën e bashkiakëve, por çdo gjë e lidh me problemet ekonomike, tentativën për të gjetur punë që të fitonte të ardhura për fëmijët, por që në çdo rast kishte dështuar.

Lurthi: Jam i papunë dhe jetoj vetëm me ndihmë ekonomike, dhe s’kam para as t’i  blej libra vajzës për ta dërguar në shkollë. Sot pasdite dola diku nga zona e Bllokut me qëllim që të gjeja ndonjë mundësi pune për të fituar ndonjë lekë. Pasi eca nëpër Tiranë, pas një peme pashë nja dy bidonë uji, një makinë lëvizi nga parkimi. Më shkoi në mendje t’i vendosja bidonët te vendi bosh me shpresën se dikush që do vinte të parkonte do më jepte ndonjë lekë të vogël. Pa kaluar as dhjetë minuta aty kaloi makina e policisë bashkiake. Ata më pyetën çfarë po bëja aty dhe ju thashë të vërtetën.

“Po rri, mos parkon ndonjëri dhe të më japë ndonjë lekë”. Më thanë që nuk lejohet dhe unë ju kërkova falje, por ata njoftuan policinë. Dua të shtoj se policët bashkiakë në atë moment më morën edhe një peshore dore që unë e gjeta në plehra, dhe një tortë që ma kishin falur që t’ua çoja kalamajve. Unë nuk e kam bërë kurrë këtë gjë, por desha të nxirrja ndonjë lekë sa për t’iu çuar bukë kalamajve

Në komisariat siç kuptohet nga procesverbali është pyetur edhe polici bashkiak Alimema.

Polici: Filluam turni i dytë, diku rreth orës 18.45 në afërsi të rrugës “Sami Frashëri” konstatuam një person që kishte vendosur bidonë uji me qëllim bllokimin e parkingjeve që janë nën administrimin e Tirana Parking. Kur ju afruam dhe i  kërkuam llogari ai pretendoi se “po e bënte që të fitonte ndonjë lekë për bukën e fëmijëve”. Ne njoftuam policinë për ta shoqëruar dhe për të bërë kallëzim.

Policia jozyrtarisht pohon se janë të shumta rastet e konflikteve mes bashkiakëve dhe qytetarëve. Kryesisht referimet dorëzohen ndaj tregtarëve ambulantë të ushqimeve dhe të rrobave të përdorura. Por një rast kallëzimi është dorëzuar ndaj një qytetari, i cili kur ka hasur rezistencën e një fermeri, që po i  merreshin nga bashkiakët produktet e fshatit, ai ka ndërhyrë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të “Rrugës së Elbasanit dhe kur qytetari u shoqërua ai tregoi se përse e goditi policin bashkiak.

  1. Tota:E qëllova policin, pasi ai po përpiqej t’i hiqte nga dora qesen me patëllxhanë që shitësi po e tregtonte në rrugë. Unë e njoh sepse kam blerë shpesh tek ai, dhe e di që është i sëmurë dhe prapë del në rrugë për të mbajtur frymën gjallë. Më erdhi keq dhe gjithashtu u nxeha me policët, ndaj nuk u përmbajta”./Gazeta Si