Grua mos festo, por protesto!

Nga Elona CASLLI

Mos festo nesër, grua! Protesto!

Protesto për 364 ditë, që i jeton si skllave që nga mëngjesi deri në darkë!

Mos luaj teatrin e përvitshëm të gruas së lirë dhe me plot të drejta, pasi edhe ti vetë, e di fort mirë që je në rol.

Mos e gënje veten me një ditë lirie në vit! Kjo nuk është liri. Gardiani yt dhe njëkohësisht burri yt, të ka lejuar thjesht të dalësh për ajrim, por kthimi në qeli është i pashmangshëm.

Qelia jote, është barra e përgjegjësisë familjare, që ti e përballon krejt e vetme, teksa yt shoq të ndjek rehatshëm nga kolltuku i spektatorit.

Qelia jote, është tjetërsimi yt, nga një grua , në një shërbëtore pa asnjë të drejtë.

Qelia jote, është zëri i tët shoqi, që të kujton orë e çast, që edhe ajri që thith është falë tij.

Mos e lyej me buzëkuq skllavërinë tënde, grua!

Mos e vish atë me petk rrëzëllitës!

Mos e pagëzo shëmtinë, me emrin e bukurisë!

Mos festo nesër, grua! Protesto!

Post Scriptum- Domethënia e një gruaje qëndron tek dinjiteti i saj.