A do të përjashtohen Braçe dhe Xhafaj nga grupi i PS?

Kuvendi miratoi një ditë më parë me 89 vota paketën ‘Anti-KÇK’, plot 34 ditë pas miratimit në Këshillin e Ministrave. Por bie në sy se disa deputetë të rëndësishëm socialistë, munguan në votim. Ora News raporton se munguan emra të tillë si Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Bashkim Fino, Senida Mesi, Musa Ulqini, etj.

Më interesante janë mungesat e Braçes dhe të Xhafajt. Braçe mungoi edhe në Kongresin e Socialistëve dhe gazeta Panorama raportoi se shkak mund të jetë bërë pakënaqësia me kryeministrin Edi Rama.

Nga ana tjetër, në sallë nuk ishte as Fatmir Xhafaj, që ka hedhur kritika ndaj nismave ligjore të qeverisë, sidomos kur ato ndërthuren me reformën e re në drejtësi. Xhafaj kishte paralajmëruar edhe një fjalim, por nuk e mbajti.

Së fundmi në media ka pasur spekulime se Operacioni Forca e Ligjit mund të dërgojë letrën e deklarimit edhe për vëllanë e Xhafajt, Geronin. Thuhet se kjo ka shkaktuar fërkime të forta në PS. Xhafaj nuk ka qenë aktiv as gjatë diskutimeve për nismën Anti-KÇK të qeverisë në komisione.

Ndërkohë nëntorin e shkuar, kur e prezantoi këtë nismë, Edi Rama paralajmëroi se kush nuk e voton, do përjashtohet nga grupi i PS.

“Unë kërkoj mbështetjen pa kushte të gjithë grupit parlamentar për ligjin special dhe paketën kundër KÇK pa kushte. Kush nuk e voton këtë paketë është i përjashtuar nga grupi parlamentar i PS”, deklaroi kryeministri Rama.