Henri Çili në konferencë shtypi, flet për akuzat ndaj tij: Nuk kam takuar asnjë…

Botuesi Henri Çili ka dalë në një konferencë për mediat ku ka folur për herë të parë lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Duke iu referuar gjashtë akuzave që rëndojnë ndaj tij, Çili tha se asnjë prej tyre nuk qendrojnë, ndërsa tha se çështja ishte në proces negociimi.

Botuesi tha se nuk ka pasur asnjë takim me gjykatës për këtë çështje, ndërsa shtoi se jo vetëm do të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë, por në fund do të kërkojë edhe dëmshpërblim nga ana e gjykatës.

Sipas Çilit arrestimi i tij dhe i avokatëve është bërë në shkelje me çdo procedurë ligjore, pasi ata nuk kishin asnjë rrezikshmëri që mund të largoheshin nga vendi, apo të prishnin prova.

Pjesë nga fjala e Çilit: 

Fillimisht do të doja që tiu shpjegoja se pse jam këtu.

Gjatë gjithë këtyre ditëve media është mbushur me versionin e prokurorisë dhe të policisë, dhe ishte më minimalja që dhe unë të jepja versionin tim.

Unë dhe dy avokatët e mi jemi ndaluar në shkelje shumë të hapur të procedurave, ku si unë ashtu dhe avokatët nuk kemi pasur asnjë precedent të mëparshëm penal, nuk kishte indicie që të largohesha nga vendi, dhe nuk kisha asnjë shans për prishjen e provave, pasi gjendesha prej muajsh nën përgjim.

Nuk kishte asnjë arsye të ligjshme për arrestimin tim, do të kishte qenë më mirë që të ishte hetim në gjendje të lirë, dhe jo masë detyrimi paraqitjeje.

Së pari unë jam i përfshirë në çështjen në fjalë si ortak, i një shoqërie drejtësie, kam 75% të aksioneve të Legal Studio dhe nuk jam as si botues, as si drejtues i UET.

Unë kam negociuar me persona të ndryshëm për konsulenca, që është konform ligjit. Ishte ende në fazë përgatitore, një kompani e re, unë kam marrë përsipër që të bëj dhe fushata komunikimi, duke iu referuar profesionit që kam pasur si gazetar.

Unë nuk do ti referohem asnjë elementi të Gjykatës së Përmetit, duke qenë se nuk dua të prish sekretin hetimor, por fillimisht dua që ti refereohem akuzës së mashtrimit, nuk kam mashtruar askënd dhe për asnjë lloj çështje. Janë bërë kontakte me persona që kanë të afërm të arrestuar, për klientë të ndyshëm.

Nuk kam falsifikuar asnjë dokument, dhe as kam marrë pjesë në falsifikimin e ndonjë akti.

Nuk kam fshehur asnjë të ardhur, për një arsye të thjeshtë, pasi në të dy rastet ne kemi qenë në fazën e negocimit, nuk kemi pasur asnjë arkëtim, dhe rrjedhimisht nuk nuk kemi pasur çfarë të fshehim.

Në lidhje me ndikimin e paligjshëm nuk kam takuar asnjë gjykatës, apo funksionar të drejtësisë për të ndikuar për vendime të ardhshme gjyqsore. Në lidhje me këtë nuk kam takuar asnjë person.

Pastrimi i produkteve të veprës penale, sa kohë qënuk është realizuar asnjë e ardhur, nuk ka si unë të pastrojë produkte të tilla.

Me zotin Fishta kemi folur për projekte që do të zhvillohet në Shëngjin, është e vërtetë që e kam njohur përmes një prej klientëve të mi.

Natyrisht që do ta apeloj vendimin për detyrim paraqitjeje, dhe më pas do të kërkoj dhe dëmshpërblim.