Helmimi në Fier/ Nëndrejtoresha-nxënësve: Mos e bëni të madhe!

Sokol Haxhiaj, babai i një prej vajzave të helmuara në ambientet e shkollës, ‘Janaq Kilica’, ka deklaruar se vajza i kishte thënë se disa prej shoqeve kishin rënë në tokë për shkak të efektit të gazit ndërsa shtoi se aroma e tij ndihet ende edhe në ambientet e jashtme të saj.

Ai u shpreh se shqetësuese për të si prind ishte edhe gjuha e përdorur nga nëndrejtoresha e shkollës e cila i kishte thënë se situata po zmadhohet, dhe nuk është aq tragjike sa bëhet në media.

‘Kam gocën në vit të parë këtu. Po pija kafe dhe pashë lajmin. Kishte marrje mendsh dhe nuk e çuam në spital. Është hera e dytë që ndodh e njëjta gjë. Në rastin e parë vajza tha se kishte vetëm marrje mendsh. I thanë sikur kishte ndodhur reaksion kimik.

Tani dëgjojmë një gjë tjetër. Shoqet e gocës kanë rënë direkt. Diskutohet që është lëndë kimike. Unë kur erdha para 10 minutash vinte një aromë shumë e rëndë.

Ende ndihet por tani u ambientuam. Vajza më tha se ishin në klasë. Na thanë të dilnim urgjent jashtë dhe kur na thanë të dalim jashtë disa shoqe ranë direkt në tokë. Vajzën e çova në shtëpi dhe i kam dhënë ujë me sheqer.

Një gjë është faktike, ata kanë një roje tek porta kryesore dhe ai nuk mund të bëjë kontrolle. Një lëndë kimike futet edhe në çantë. Nëndrejtoresha na tha pse e bëni kaq tragjike se nuk është ndonjë gjë e madhe. Kjo më revoltoi më shumë.

O këto mediat, tha pse e bëjnë kaq shumë problem. Kjo më shqetëson më tepër, mënyra e komunikimit. Ne kamerat i kemi dhe duhet të zbulohet që të mos ndodhë ndonjë fatkeqësi nesër’, tha ai.