Helmimi i nxënësve/ Rrëzohet propaganda e Rilindjes

Rreth 60 nxënës të shkollës së mesme “Janaq Kilica” në Fier janë trajtuar sot në Spitalin e Fierit me shenja të intoksikimit dhe neuroza paniku. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në orët e vona të pasdites së sotme e kanë lënë spitalin edhe nxënësit e fundit që po mbaheshin në observim në spitalin rajonal të Fierit, si pasojë e intoksikimit. Por historia nxori në hap faktin se sa i rrënuar është shteti

Pamjet sot nga gjimnazi i Fierit, në trotuarin përballë, më tej në spital, ishin vërtetë tronditëse. Dhjetëra nxënës përfunduan në tokë, e në urgjencë si pasojë e një helmimi. Ngjarja ende nuk është zbardhur plotësisht.

Po derisa të kemi një tablo të qartë të asaj që ka ndodhur, disa konkluzione mund të nxirren.

Ka për shembull një mospërputhje të madhe mes propagandës së qeverisë për arritjet e mëdha në shkollat tona, veçanërisht në aspektin e sigurisë, në krahasim me realitetin.

60 nxënësit që përfunduan sot në trajtim mjekësor dhe me serume, hedhin poshtë më dhimbje lustrat dhe hiperbolat e Shahinit dhe Ramës, për atë që ata e quajnë, transformim rrënjësor. Dhe kur thonë këtë, ata asnjëherë nuk harrojnë të sulmojnë opozitën për gjendjen e rëndë ku i kishin lënë shkollat.

Kanë fryrë me të madhe edhe vendosjen e një oficeri policie në dyert e institucioneve arsimore.

Veçse, sot, nga ai gjimnaz i Fierit, Janaq Kilica, ka rënë në tokë edhe boria e përditshme që vjen nga Rilindja, që thotë; po bëjmë shtet, po bëjmë shtet.

Ne nuk mund dhe nuk do ta kemi ndoshta kurrë një shtet që të parandalojë ngjarje të kësaj natyre. Tmerre pa fund ndodhin nëpër shkolla edhe në vende të zhvilluara.

Po nëse do të kishim shtetin që thotë Edi Rama se kemi, në të njëjtin gjimnaz ku vetëm para një jave ndodhi një helmim i ngjashëm, strukturat përgjegjëse do të kishin analizuar, reaguar, e marrë masa që kjo të mos përsëritej ende pa u bërë dita e 7 e rastit të parë.

Të kishim shtetin që thotë Edi Rama që kemi, spitali i Fierit dhe emergjencat, nuk do të binin sot në kaos e në kolaps, për shkak të atij helmimi.

Pamjet që vijnë nga ekrani, tregojnë një pamundësi përballimi të situatës.

Nëse shkaktari është një nxënës problematik, që u njihka, që paska tentuar dhe herë të tjera, si ka mundësi që shteti i fortë i Rilindjes nuk e pengon të përsërisë këtë akt.

Dihet se, në shkollat tona, në gjimnazet tona veçanërisht, vitet e fundit ka vërshuar hashashi, çka është kthyer gati në normalitet.

Kemi pasur jo pak raste ku nxënësit nuk janë ndjerë mirë e kanë rënë në alivani, pikërisht prej konsumit aty brenda të kanabisit.

Shteti, standardet, reformat, duken, preken, më së pari tek shkollat. Dhe po ashtu, gjendja e shkollave tregon e para, kur kemi të bëjmë vetëm me fasadë e propagandë.

Na ngelet vetëm të kujtojmë fjalimin e fortë të Shahinit në kongresin e socialistëve, që nuk pati asnjë droje të tregonte mrekullinë që po realizojnë ata në arsim, dhe nuk pati aspak droje të fliste për poshtërsitë që ka bërë Partia Demokratike. Kjo, në fund të mandatit të dytë qeverisës./Mapo.al