Helmimi i nxënësve në Fier/ Sindikata: Të dorëhiqet ministrja Shahini

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Fier, ku rreth 30 nxënës i dërguan me urgjencë në spital, pasi shfaqën probleme me frymëmarrjen gjatë orës së mësimit.

Në një deklaratë për mediat, KSSH e cilëson të rëndë ngjarjen në Fier, ndërsa kërkon që ministrja e Arsimit, Besa Shahini duhet të japë dorëheqjen.

KSSH i bën apel prokurorisë të nisë menjëherë hetimet, pasi kjo është një ngjarje e përsëritur.

“Një ngjarje e rëndë në përmasat e një skandali është rregjistruar në gjimnazin e Fierit “Janaq Kilica” ku rreth 30 nxënës kanë përfunduar në spital me shenja të rënda helmimi.

Një person dyshohet se ka hedhur gaz lotsjellës, duke dëshmuar se siguria në shkolla mbetet vetëm në virtualitet dhe policimi në shkolla është një projekt i dështuar.

Pamjet e nxënësve që transportohen në spital të kujtojne pamjet e helmimeve masive në shkollat e Kosovës nga autoritet serbe.

Ky incident i rëndë përsëritet në të njëjtën shkollë në harkun kohor të pak diteve më parë konkretisht në datën 28 shkurt”, thuhet në deklaratë.