Bylykbashi: Edi Rama nuk organizon dot zgjedhje të lira dhe demokratike

Përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi gjatë një takimi me diplomatë të akredituar në Tiranë dhe ekspertë të OSBE-ODIHR u shpreh se, Edi Rama nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Takimi kishte karakter informues mbi punën e deritanishme të reformës zgjedhore, ndërsa në takimin e Këshillit Politik ishin përfaqësues të Britanisë së Madhe, Zvicrës, SHBA , OSBE dhe ODIHR, si dhe të vendeve të BE-së.

“Zgjedhjet kanë arritur nivelet me të ulëta në raport me standardet e OSBE. Nëse në 2009 zgjedhjet arritën shumicën dërrmuese te standardeve te OSBE, nga 2015-2019 raportet e ODIHR kanë si shqetësim prioritar shkeljen e standardeve bazë: lirisë dhe sekretit te votës, shitblerjen e votës, lirinë nga frika e ndëshkimit, ndarjen e shtetit nga partitë dhe fushën e barabarte te lojës.

Produkt i këtyre standardeve të dhunuara është Parlamenti i dalë nga votat e blera dhe të dhunuara në 2017 dhe pushteti vendor i emëruar nga Kryeministri ne te gjitha bashkite, emërim i ratifikuar me votim monist”, mësohet të jetë shprehur Bylykbashi.

Në vijim ai ka deklaruar se legjitimit i Parlamentit dhe pushtetit vendor, dy mbajtësve te përfaqësimit demokratik me vote, nuk është thjesht i minuar, ai thjesht nuk ekziston.

“Parimet që kanë dështuar në zgjedhje janë parime kushtetuese. Dhunimi i tyre masiv, në çdo vend normal do të çonte në anulim të zgjedhjeve ‎nga Gjykata Kushtetuese dhe sistemi gjyqësor.

Por në Shqipëri asnjë gjykatë nuk ekziston apo nuk është e lire nga presioni. Këtë e thotë ODIHR. Rënia e kësaj garancie nuk është vetëm rënie e shtetit të së drejtës, por e demokracisë përmes zgjedhjeve”, tha ai.

Reforma Zgjedhore referuar dakordësisë në tryezën e parë të zhvilluar mes Oerd Bylykbashit, Damian Gjiknurit, Petrit Vasilit dhe Rudina Hajdari duhet të përfundojë brenda 15 marsit 2020.