Arta Dade shpërthen ndaj Ramës: Nuk besoj dhe nuk duhet që të fitojë mandatin e tretë!

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, e ftuar në “Dita jonë” në A2, deklaroi se reformat e qeverisë duhen vlerësuar, por, sipas saj, problemi është a po çohen deri në fund apo jo.

“Reformat duhen vlerësuar, por problemi është a po çohen deri në fund dhe a po japin efektet e duhura? Fatkeqësisht, më duket sikur rreket më shumë për të bërë “shoë”. Njerëzit po largohen, dhe po largohet klasa e mesme fatkeqësisht. Gjermania po kërkon fuqi punëtore dhe janë shtete që mendojnë në kuadër afatgjatë, ndërsa ne nuk kemi shqetësim se vendi po braktiset. Shpresën nuk mund ta kthejë më Rama dhe as kjo opozitë që është në gjendjen më dramatike që ka qenë ndonjëherë një opozitë në vend dhe i ka lënë terren të lirë qeverisë”, u shpreh Dade.

Kur u pyet nëse kryeministri Edi Rama do ta fitojë një mandat të tretë, Dade u përgjigj shkurt: “Nuk besoj dhe nuk duhet që ta fitojë”.

Në lidhje me aksionin e Presidentit Ilir Meta, Dade deklaroi: “Presidenti është provokuar në kryerjen e detyrës së tij dhe në mjaft akte antikushtetuese dhe mesa duket, provokimet e kanë detyruar të ndërmarrë këtë hap”.