Isa Mustafa reagon ndaj Ramës: Në emër të Kosovës e kam kundërshtuar në të gjitha takimet…

Kryetari i LDK, Isa Mustafa, iu përgjigj kryeministrit, Edi Rama, i cili në një intervistë televizive e cilësoi atë si “politikan tinëzar”.

Mustafa u tregua i matur në reagimin e tij, ndërsa shkruan në një postim në Facebook se, “nuk dëshiroj t’a cilësoj Ramën ashtu siç e meriton, sepse është Kryeministër i Shqipërisë”.

Në vijim, kreu i LDK shprehet se, “në asnjë rast nuk kemi biseduar me të dhe me të tjerët për Minishengenin, sa isha Kryeministër”.

“Kemi biseduar për Unionin Doganor të Vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për Tregun e Përbashkët të këtyre vendeve. Në emër të Kosovës i kam kundërshtuar në të gjitha takimet. I ka kundërshtuar edhe Mali i Zi.

Jemi pajtuar në Procesin e Berlinit për Hapësirën e Përbashkët Ekonomike të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkruan Mustafa.