Dosjet 339 dhe 184 janë maja e ajsbergut, paralajmërimi i Metës: Nuk kanë kuptuar gjë akoma…!

Presidenti Meta gjatë fjalës së tij në tubimin popullor u shpreh se, autorët e grushtit të shtetit po shpopullojnë Shqipërinë.

“Ky sekt në pushtet mori në kontroll hetimin, falsifikoi dokumentet e shtetit. Vodhën kompetencat e presidentit.

Ata nuk kanë kuptuar gjë akoma. Kujtojnë se inteitucionet e tyre janë supreme. Dekretin e Presidentit e zbatoi populli shqiptar, duke bojkotuar zgjedhjet.

U miratua KÇK që nuk ka bërë gjë tjetër, por asgjësoi edhe drejtësinë e re. Dosjet “339” dhe “184” janë maja e ajsbergut.

Demokracia nuk rrezikohet kur populli ngrihet në mbrojtje të Kushtetutës. Kur qeveria ka frikë nga populli aty ka drejtësi. Diktaturat mund të ndërrojnë maskat, por mbeten të njëjta.

Së fundi, miratuan në pabesi ligjin për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pak orë para mbërritjes së Komisionit të Venecias. Ky ligj u votua me qëllimin e vetëm për të futur nga oxhaku, për t’i bërë Gjykatës Kushtetuese kamikazët e Rilindjes, që betohen te Lana.

Nëse dikush është i shqetësuar se pse presidenti thërret popullin për t’i kthyer sovranitetin, unë po i përgjigjem: A ka ndonjë vend në NATO apo Evropë që ka qëndruar një orë të vetme pa Gjykatë Kushtetuese?

A mundet derbi i fundit Tirana-Partizani të luhet pa arbitër? A ka ndonjë vend në NATO apo Evropë që ka qëndruar një ditë të vetme pa Gjykatë të Lartë. Janë 40 mijë dosje, që duan dhe 30 vjet të shqyrtohen”, tha Meta.