Zbardhet dëshmia e Çilit në polici: Gjithçka tërësisht e manipuluar, kam prova dhe fakte

Botuesi Henri Çili është marrë në pyetje pasditen e djeshme nga oficerët e policisë gjyqësore në Gjirokastër.

Burime nga policia thanë se, Çili ka mohuar të ketë pasur dijeni për gjithçka që akuzohet nga Prokuroria.

Ky i fundit i është nënshtruar seancave pyetësore në orët e vona të pasdites së djeshme nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore në Policinë e Gjirokastrës.

Në të gjitha dëshmitë që ka dhënë në 1 orë e gjysëm seancë pyetësore në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Gjirokastrës, Henri Çili mësohet të jetë shprehur se, nuk ka kryer asnjë shkelje në lidhje me akuzat që i bëhen dhe se gjithçka, sipas tij, është tërësisht e manipuluar dhe do t’i kundërshtojë në momentin e duhur me prova dhe fakte.

Burime nga Prokuroria e Përmetit bëjnë të ditur se, Henri Çili pritet që të dalë para Gjykatës së Faktit në Përmet mesditën e së dielës.