Berisha: Ligji Rama anti-KÇK i jep goditjen finale shtetit ligjor

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar paketën Anti-KÇK si antikushtetuese. Në një intervistë për News 24, Berisha deklaroi se kjo paketë i jep goditjen finale shtetit ligjor dhe i jep të drejtën shtetit kriminal.

Sipas Berishës kjo paket është antikushtetuese dhe antligjore, ndërsa risolli në vëmendje se kjo paketë ishte rrëzuar më herët nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2015-të.

Berisha shtoi se në atë kohë edhe ambasadori amerikan Donald Lu i jepte të drejtë opozitës që kundërshtoi idenë e qeverisë shqiptare për të krijuar një FBI shqiptare.

‘Duhet të biem dakord që paketën ta quajmë paketa KÇK, kap ç’të kapim në këtë fushatë. Në rrafshin ligjor kjo përbën aktin më të rëndë në 30 vitet e fundit. Pra në procesin e shtet shkatërrimit dhe të zëvedndësimit me narkotshtetit, kjo përbën aktin final, sepse ky akt shkatërron Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kodet e vendit, e nxjerr vendin jashtë hapësirës së konventës europiane.

Akti në vetvete është një banditizëm ligjor i paimagjinueshëm. Që në fillim ju rikujtoj shqiptarëve se ky akt është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2015. Edi Rama e quajti këtë në atë kohë FBI shqiptare, e kundërshtuam megjithatë e kaloi në parlament.

Në atë kohë kishte ardhur Donald Lu dhe meqenëse më erdhi në zyrë, pas disa kohësh i ktheva vizitën. Në atë vizitë jam ndal gjerësisht në arsyet e kundërshtisë sonë ndaj FBI-së shqiptare. Në fund të bisedës dhe mbrapa disa herë më rikujtoi se unë kisha të drejtë’, deklaroi Berisha.