Manchester United ul çmimin Pogba, gati largimi

Manchester Unitedi ia ka dhënë dritën e gjelbër Paul Pogbas për t’u larguar nga Old Traffordi gjatë afatit kalimtar të verës, duke e ulur çmimin kërkues për të në 175 milionë euro nga 210 milionë.

Djajtë e Kuq ishin të gatshëm ta shesin Pogban është gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, mirëpo shifra prej 210 milionë eurove që klubi i kërkonte për të kishte bërë që Real Madridi dhe Juventusi të tërhiqeshin prapa.

Tani, 26-vjeçarit dhe agjentit të tij Mino Raiola u është thënë se futbollisti është i lirë të largohet në fund të këtij sezoni, për aq kohë sa të plotësohet kërkesa e klubit prej 175 milionë euro për shitjen e tij.

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer dhe bordi drejtues i Manchester Unitedit besojnë se tani është momenti i duhur për t’i ndarë rrugët me francezin, që e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të jetë më pjesë e projektit në Old Trafford.

Pogba e ka kërkuar largimin nga Manchester Unitedi tash e një kohë pasi që nuk besoj se mund të fitojë tituj si ai i Ligës së Kampionëve me klubin anglez, përkundër që tani ai do të duhej të ishte në kulmin e karrierës së tij.

Në anën tjetër, deklaratat dhe kritikat e vazhdueshme të Raiolas drejt drejtuesve të Manchester Unitedit kanë bërë që klubi të mos dëshirojë të ketë më lidhje me të.