Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengë, çfarë zbuluan kamerat e sigurisë

Zbardhen të tjera detaje për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, trupi i të cilit ende nuk është gjetur nga policia. Në dosjen e Prokurorisë deklarohet se rrëmbimi është bërë si presion për një sasi prej 260 kg kokainë që vëllai i viktimës, Astrit Prenga që jeton në Angli iu kishte marrë disa shtetasve shqiptarë.

Ndërkohë zbulohen edhe lëvizjet e 5 autorëve të dyshuar, ndaj të cilëve gjykata me gjyqtar Sokol Tonën ka vendosur arrest me burg.

Bajram Hajri, 64 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit-kryer në bashkëpunim dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Leonard Hajri, 35 vjeç, i dushuar për veprat penale “rrëmbim ose mbajtje peng e personit” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Olsi Turja, 36 vjeç, i dyshuar për veprat penale “rrëmbim ose mbajtje peng e personit” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Elton Hajri, 32 vjeç, i dyshuar për veprat penale “rrëmbim ose mbajtje peng e personit” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Festim Bexhdili, 30 vjeç, nga Kavaja i dyshuar për veprat penale “rrëmbim ose mbajtje peng e personit” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehje dhe asgjësim kufome”.

Sipas Prokurorisë, në datën 17 janar, rreth orës 11:50 në rrugën “London” në Kamëz, persona të paidentifikuar kanë rrëmbyer shtetasin Jan Prenga duke e futur në një automjet fuoristradë dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore dhe procedurale, si edhe informacioni i mbledhur ka rezultuar Prenga është marrë peng nga disa persona si mjet presioni për shkëmbimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë që vëllai i tij shtetasi Astrit Prenga i cili heton në Angli u kishte marrë disa shtetasve shqiptarë. Për këtë fakt këta të fundit kishin urdhëruar marrjen peng të Prengës në këmbim dhe kthimin e lëndës narkotike. Duke përcaktuar këtë motiv të rrëmbimit organi i akuzës pretendon se sasia e lëndës narkotike është 260 kg.

Në hetimet e këtij rrëmbimi Gjykata e Tiranës vendosi të kontrolloheshin tre banesa private të këtyre personave në Pjezë, Shijak, Durrës, disa hotele si edhe në kompleksin Golden në pronësi të familjes Hajri në Shijak.

Nga kontrollet janë sekuestruar, një armë zjarri pistoletë tip “Glock”, një krehër dhe 11 copë fishekë 9 mm; një armë zjarri pistoletë tip “Zastava”, një krehër me 15 fishekë 9 mm; 16 aparate celularë; 4 makina të markave të ndryshme, 4800 euro; 3 aparatë DVR regjistrimi të kamerave të sigurisë së këtyre objekteve.

Nga këto pamje filmike të administruara në formën e fotove zbulohet edhe rruga e ndjekur nga automjeti “Range Rover Evoque” me ngjyrë të bardhë me rrëmbyesit e pengut Jan Prenda. Automjeti ka pasur targën AA365VI dhe i përket shtetases K.R., kallëzuar nga kjo shtetase si i vjedhur në Komisariatin nr.6 më 26 nëntor.

Automjeti pasi hynë në kompleksin “Golden” në Shijak në orën 11:35, del nga pjesa e oborrit të kompleksit në mbrëmje në orën 20:38 dhe ikën në drejtim të Durrësit, ku u gjet më pas i djegur në fshatin Shkallnur.

Nga proces verbalet e këqyrjes së CD-ve si edhe pamjeve fotografike të nxjerra nga kamerat e vëzhgimit konstatohen se si jashtë kompleksit “Golden” por sidomos në ambientet e brendshme, në bodrum të akuzuarit kryejnë veprime aktive, si fshehje e armëve, duke fshehur dhe fshirë gjurmët e gjakut, duke ndihmuar fizikisht futjen e kufomës në automjetin tip “Furgon”; automjet në pronësi të Elton Hajrit si edhe transportimin në drejtim të daljes nga ambientet e kompleksit. Sipas pamjeve që disponon prokuroria, në furgon futen edhe vegla të tilla si kazma e lopata.

“Golden” administrohet nga Bajram Hajri, Leonard Hajri dhe Altin hajri. Ndërsa Olsi Turja merret me menaxhimin e kompleksit. Ky i fundit në filmime sipas prokurorisë shfaqet duke fshehur dhe fshirë gjurmët e gjakut.

Ndërsa për Festim Bexhdilin, i cili akuzuohet edhe për fshehjen dhe asgjësimin e kufomës, prokuroria thotë se në sjelljet e tij rreth ngjarjes, tek ai identifikohen dukshëm veprime aktive në transportimin e kufomës fillimisht në furgon dhe më pas dhe jashtë tij, por deri tani nuk është gjetur vendi ku është varrosur Jan Prenga./ bw