Ja sa është pasuria e deklaruar e Albin Kurtit dhe e kabinetit të tij…

Kabineti i ri i qeverisës qëndron mirë në aspektin financiar. Qindra e mijëra euro kanë deklaruar si pasuri të tyre shumica prej ministrave të kabinetit Kurti. Kurti në menaxhim pritet t’i ketë dy zëvendëskryeministra, 15 ministra dhe 33 zëvendës të tyre.

Sipas përllogaritjeve të dala nga raportet e deklarimit të pasurisë në Agjencisë Kundër Korrupsion, del se kryeministri Kurti ka një pasuri të paluajtshme prej 400 mijë euro dhe 10 mijë euro para të gatshme në emër të bashkëshortes, ndërsa nuk ka të deklaruara detyrime.

Pasuria e politikanëve çdo vit bëhet temë, sidomos kur zyrtarët shtetërorë duke filluar nga presidenti, kryeministri, ministrat, zëvendësministrat, kryetarët e komunave e zyrtarë me pozita më të vogla deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Për çdo vit, ata tregojnë se posedojnë shtëpi, banesa, vetura të shtrenjta, para në banka, pronësi në biznese të ndryshme etj.

Avdullah Hoti, zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës ka deklaruar pasuri të paluajtshme në pronësi të përbashkët në vlerë prej 233 mijë euro, kurse para të gatshme ka mbi 2,600 euro, të cilat i ka deklaruar në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve. Për sa i përket borxheve, Hoti thotë se ka mbi 40,700 euro detyrime ndaj personave juridik dhe fizikë.

Kurse zëvendëskryeministri i dytë i Qeverisë së Kosovës, Haki Abazi, në AKK ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë mbi 800 mijë euro, përfshirë këtu tri shtëpi, dy banesa të blera në shtatë vitet e fundit dhe një arë të trashëguar. Abazi ka deklaruar edhe letra me vlerë apo aksione në Neë York prej 140 mijë euro dhe detyrime prej 230 mijë euro.

Albin Kurti – kryeministër
Albin Kurti edhe pse kritikoi jashtëzakonisht ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagës në 2950 euro, ai këtë rrogë do ta marrë së paku deri në muajin prill kur do të mësohet se çfarë do të ndodhë me Ligjin e Pagave i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Nëse ligji i ri hyn në fuqi, Kurti do të marrë 2151 euro në muaj.

Cila është pasuria e deklaruar nga Kurti gjatë vitit të kaluar.
Kurti ka deklaruar pasuri të paluajtshme banesën e bashkëshortes së tij në Oslo të Norvergjisë me vlerë 400 mijë euro.

Për këtë banesë në deklarimin e pasurisë në Agjencinë e Antikorrupsionit, bashkëshortja e Kurtit ka marrë kredi 270 mijë euro.

Të ardhura vjetore Kurti ka deklaruar pagën e deputetit 19,189 euro. Ndërsa paga vjetore e bashkëshortes së tij në Oslo është deklaruar 42.240 euro.

Para të kursyera Kurti ka deklaruar 10 mijë euro të cilat po ashtu janë në llogarinë bankare të bashkëshortes së tij, shkruan Reporteri.net.

Avdullah Hoti – zëvendëskryeministri i parë
Hoti që vjen nga LDK e që në Qeverinë Kurti do të jetë zv.kryeministër i parë ka deklaruar në pronësi tre banesa.

Njëra në vlerë 68 mijë euro, tjetra 60 mijë euro dhe e fundit që ka blerë në vitin 2018 në vlerë 105 mijë euro.

Para te gatshme në pronësi të vetën, gruas e fëmijëve ka deklaruar veç 2648 euro.
Kurse detyrime financiare për të shlyer i ka 40 mijë e 726 euro.

Haki Abazi, zëvendëskryeministër i dytë
Haki Abazi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë mbi 800 mijë euro, përfshirë këtu tri shtëpi, dy banesa të blera në shtatë vitet e fundit dhe një arë të trashëguar.
Abazi ka deklaruar edhe letra me vlerë apo aksione në New York prej 140 mijë euro dhe detyrime prej 230 mijë euro.

Albulena Haxhiu – ministre e Drejtësisë
Edhe Haxhiu në vitin e kaluar ka deklaruar pasuri bajagi të mire.
Banesë në vlerë 60 mijë euro, tokë të trashëguar nga prindi në vlerë 12,500 euro.
Posedon veturë Zafira në vlerë 6 mijë euro. Ka deklaruar se posedon veç 60 euro në bankë. Kurse ka kredi për të shlyer në vlerë 19 mijë euro.

Agim Veliu – ministër i Punëve të Brendshme
Veliu që për vite ka mbajtur postin e kryetarit të Podujevës ka deklaruar shtëpi, banesë, tokë e truall por nuk i ka vënë çmim.

Para të gatshme të ruajtura në bankë ka deklaruar në vlerë 19 mijë e 449 euro.
Veliu ka një kredi në vlerë 25 mijë euro për të shlyer të cilën e ka marrë për blerjen e truallit.

Glauk Konjufca – ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Ka deklaruar dy banesa. Një në vlerë 70 mijë euro dhe tjetrën në vlerë 67 mijë euro.
Tokë (trashëgimi familjare) në vlerë 30 mijë euro, truall në vlerë 80 mijë euro.

Shtëpi në ndërtim (4 ari trualli – familjare) në vlerë 100 mijë euro.
Shtëpi vikendi (16 ari truall) në vlerë 40 mijë euro (pronësi të prindit)
Posedon veturë të tipit Passat në vlerë 3 mijë e 500 euro. Para të gatshme ka të ruajtura në vlerë 4 mijë euro.

Anton Quni – ministër i Mbrojtjes
Posedon banesë në vlerë 160 mijë euro. Shtëpi të përbashkët në vlerë 200 mijë euro. Oborr (trashëgimi) në vlerë 12 mijë euro.

Vozit veturë të tipit BMW X5 në vlerë 7 mijë. Në emër të vetin ka deklaruar të kursyera në bankë 3,200.00 euro, kurse në emër të fëmijëve 4 mijë e 600 euro.

Besnik Bislimi – ministër i Financave
Hera e fundit kur ka deklaruar pasurinë është viti 2016 kur ishte deputet. Kishte deklaruar shtëpi në vlerë 250 mijë, banesë në vlerë 100 mijë euro.

Posedon dy vetura. Personalisht vozit veturë të tipit Touareg në vlerë 10 mijë euro, kurse gruaja veturë të tipit Peugeot në vlerë 5 mijë euro. Para të mbajtura në bankë kishte deklaruar në vlerë 30 mijë euro. Bislimi kishte deklaruar tre kredi në vlerë 250 mijë euro.

Emilja Rexhepi – ministre e Administratës
Rexhepi që vije nga komuniteti boshnjak ka deklaruar pasuri të paluajtshme të përbashkët në vlerë 470 mijë euro.

Rexhepi posedon veturë të tipit Mercedes E Clase në vlerë 15 mijë euro. Detyrime financiare ka në vlerë 10 mijë euro.

Hykmete Bajrami – ministre e Arsimit
Edhe kjo në vitin 2019-tën ka deklaruar pasuri të majme.
Posedon banesë 80 mijë euro, banesë tjetër në vlerë 70 mijë euro, shtëpi në vlerë 137 mijë euro (të përbashkët). Posedon dy vetura të tipit Mercedes. Njëra në vlerë 20 mijë euro dhe tjetra në vlerë 11 mijë euro.

Para të ruajtura në bankë ka deklaruar në vlerë 5361 euro.
Kurse kredi ka deklaruar në vlerë 80 mijë euro (marrë për blerje të banesës dhe veturës).

Lumir Abdixhiku – ministër i Infrastrukturës
Ka deklaruar dy shtëpi. Njërën në vlerë 200 mijë euro (pronësi e përbashkët) dhe tjetrën në vlerë 150 mijë euro (trashëgimi nga prindërit). Tokë pune (trashëgimi nga gjyshërit) në vlerë 90 mijë euro.

Posedon veturë të tipit Hyundai në vlerë 12 mijë euro. Në Kolegji Riinvest ka 0.50 % aksione në vlerë 3 mijë e 722 euro. Para të gatshme ka deklaruar në vlerë 4596 euro. Ndërsa ka një kredi në vlerë 80 mijë euro për të shlyer.

Arben Vitia – ministër i Shëndetësisë
Hera e fundit kur ka deklaruar pasurinë është viti 2018-të sa ishte drejtor i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës. Kishte deklaruar një shtëpi në vlerë prej 250 metra katrorë, dhe truall në vlerë prej 250 mijë eurosh.

Posedon veturë të tipit, “Mazda” në vlerë prej 12 mijë eurosh. Para të gatshme në bankë kishte deklaruar 800 euro.

Besian Mustafa – ministër i Bujqësisë
Për dallim nga të tjerët, Mustafa ka të deklaruar pasurinë në vitin 2018-të sa ishte në kohën kur drejtonte Agjencinë për Investime dhe përkrahjen e Ndërmarrjeve.

Ai ka deklaruar dy vite më parë se jeton në një banesë në vlerë 73 mijë euro (në pronësi të prindit).

Në emër personal ka deklaruar të ruajtura në bankë 23 mijë e 200 euro, kurse 29 mijë e 626 euro në emër të prindit. Veturë të tipit Peugeot në vlerë 8 mijë euro.

Vlora Dumoshi – ministre e Kulturës
Hera e fundit kur ka deklaruar pasurinë është viti 2017-të sa ishte shefe e stafit të kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa. Dumoshi kishte deklaruar banesë në vlerë 50 mijë euro, para të gatshme 658 euro dhe 10 mijë euro kredi për të shlyer.

Blerim Reka – ministër i Integrimeve
Reka, sipas fletës anketuese të cilën e ka dorëzuar tek Komisioni për parandalimin e korrupsionit menjëherë pasi është emëruar ambasador në Misionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut pranë Bashkimit Evropian, kishte paraqitur një shtëpi prej 200 metrave katror në Shkup me vlerë prej 200 mijë euro dhe një makinë të tipit AUDI A3. Ai kishte paraqitur edhe një depozit bankar në vlerë prej 38 mijë euro.

Dalibor Jevtiq – ministër për komunitete
Ka deklaruar pasuri të paluajtshme afër 500 mijë euro. Posedon veturë në vlerë 8 mijë euro. Ka deklaruar 1 % aksione në Telekom Serbia.
Kurse para të gatshme të ruajtura në bankë ka në vlerë 100 mijë euro.