I akuzar për falsifikim vizash dhe trafik refugjatësh, a do ta kalojë Vettingun kreu i Policisë së Shtetit?

Një denoncim se Ardi Veliu ka qenë i përfshirë në falsifik vizash dhe trafik refugjatesh ka rezultuar i pa mbështetur në prova, u tha në seancën dëgjimore për kryepolicin, në KJV.

Këtë të enjte nisi vetingu për kreun e Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit. Trupa e Vlerësimit përbëhej nga Mirela Ujkani, Alban Laska dhe Artur Baku.

Pasuria
Komisioni vlerësoi se subjekti ka kryer deklarim të saktë pasurie dhe nuk ka konflikt interesi. KJV bëri me dije se Veliu ka deklaruar një apartament banimi 79 mijë euro të porositur, me të ardhura familjare. Aktualisht, jeton në një apartament me qira në Tiranë.

Ka deklaruar të ardhura nga një kredi 5 milionë lekë, ndërsa ka paguar 37 mijë euro janë paguar deri tani.

Veliu, ka deklaruar një depozitë 750 mijë lekë të krijuara nga të ardhurat, shitje automjeti, me vlerë 5 mijë euro. Aktualisht, subjekti nuk ka të regjistruar asnjë automjet në pronësi të tij.

Bashkëshortja ka deklaruar llogari në bankë 800 mijë lekë, të ardhura nga paga. Depozitë në bankë tjetër 2 mln e 400 mijë lekë, e deklaruar si dhuratë nga prindërit e saj.

Veliu ka deklaruar të ardhura 2 mln e 900 mijë lekë, nga një apartament i shitur në Vlorë, 61 m2, në pronësi të bashkëshortes, që i ishte dhuruar nga prindërit. Sipas KJV, dhurimi është i ligjshëm. Bankat kanë konfirmuar të ardhurat nga paga, që nga viti 1998 deri në 2018, deklaroi komisioni.

Në këtë mënyrë, KJV ka arritur në përfundimin se Ardi Veliu ka deklaruar saktë pasurinë, ka burime të ligjshme dhe nuk ka konflikt interesash.

Kontrolli i figurës
Për kontrollin e figurës, DSIK ka konfirmuar se për Veliun nuk ka ardhur asnjë informacion i parregullt dhe nuk ka procedime penale për të.

Prokuroria ka konfirmuar se Ardi Veliu nuk asnjë regjistrim për aktivitete kriminale, e as familjarët e tij. Por, vitet 2002, 2003 dhe 2007 kur ka shërbyer në Vlorë, ka pasur informacione se ka qenë i lidhur me falsifikimin e vizave dhe ka favorizuar në kalimin e klandestinëve. Por, në denoncime nuk janë gjetur prova që të vërtetojnë përfshirjen e tij, u tha nga komisioni. Nuk rezulton që Veliu të ketë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit.

Vendimi për të jepet më 7 shkurt, ora 09:45.