Dëshmitari i rremë i Xhafajt shpërblehet duke dalë nga burgu, tani pret edhe paratë

Fredi Alizoti, i cili u përdor nga strukturat policore, Prokuroria dhe Rilindja, në atë që njihet si dosja “Xhafaj”, ka fituar lirinë. Sikundër raportohet, Fredi Alizoti është lënë i lirë ditën e sotme.
Vendimi është dhënë nga gjykata e Tiranës pasi Alizoti ishte dënuar me dy vite burg dhe koha e dënimit të kryer është e barazvlefshme me afatet e paraburgimit.

I dënuar 5 herë nga drejtësia shqiptare, Alizoti u përdor nga strukturat e drejtësisë dhe qeverisë për të marrë përsipër zërin e Agron (Geron) Xhafajt në audio-përgjimin e publikuar, sipas të cilit vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, vijonte aktivitetet e paligjshme të trafikut të narkotikëve.

I shfrytëzuar nga Gent Osmani, ish-prokuror i Krimeve të Rënda, i cili u flak jashtë sistemit të drejtësisë, dhe kolegu i tij, Kolë Hysenaj, për të mbrojtur “imazhin” e Fatmir Xhafajt, Alizoti rezulton i dënuar më parë për ngjarje kriminale.

Boldnews.al ka raportuar më parë lidhur me përdorimin që iu bë Alizotit nga drejtuesit e policisë së Fierit, sot vijojnë të jenë drejtues policie në qytete të tjera.

Kështu Albert Nushi, ish-drejtor i Policisë së Fierit, deklaroi para gjykatës se mbrëmjen e së dielës, 1 Qershori 2018, kishte shoqëruar me automjetin e tij shtetasin Alizoti nga Fieri, në drejtim të Prokurorisë për Krime të Rënda, ku do të takohej me prokurorin e çështjes, Gentjan Osmani.

Në automjet, bashkë me ta, ishte edhe zëvendësi i Nushit, Andon Marko. i pyetur nga avokatët se sa automjete ka në dispozicion Policia e Fierit dhe përse duhej që Alizoti të shoqërohej nga dy drejtuesit më të lartë të asaj strukture, Nushi u përgjigj: “Policia e Fierit ka rreth 100 automjete. Unë e mora në mjet Fredi Alizotin, pasi kisha rrugën në Tiranë dhe që të mos konsumohej karburant i institucionit”.

Dy zyrtarët policorë pranuan se nuk kanë pasur “asnjë urdhër delegimi zyrtar për kryerje veprimesh proceduriale nga prokurori Gentian Osmani”.

Në dëshminë e tij, Nushi tregoi se 1 Qershor 2018, pasi kishte dërguar Alizotin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të takuar prokurorin Gentian Osmani, kishte zhvilluar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ard Veliu.

Pas këtij takimi, kishte komunikuar sërish me Alizotin, i cili i kishte deklaruar se kishte mbaruar punë tek Krimet e Rënda dhe tani i duhej të shkonte deri tek “Xhamlliku”, një zonë rreth 3 kilometra larg godinës së Prokurorisë.

Nushi i ishte gjendur Alizotit dhe e kishte marrë me makinën e tij për ta dërguar në destinacionin që kërkonte “dëshmitari”. Para se të ndaheshin, Drejtori i Policisë i kishte dhënë Alizotit një sasi lekësh, pasi i kishte ardhur keq “se nuk kishte ku të flinte atë natë”.