Arsyet që mund ta shtyjnë Messin drejt largimit nga Barcelona

Lionel Messi shpërtheu të martën pas komenteve të Eric Abidalit për lojtarët e Barcelonës. Drejtori sportiv i klubit katalonas pretendoi se lojtarët nuk kishin punuar aq sa duhet dhe Messi, i cili është i lodhur nga situatat e tilla në klub, e shfrytëzoi llogarinë e tij në Instagram për ta kritikuar Abidalin.

Kapiteni i Barcelonës ishte i vetëdijshëm se ai po akuzohej se ishte përfshirë në vendimin për shkarkimin e Ernesto Valverdes, përkundër që ai e kishte përkrahur ish-trajnerin e tij deri në minutën e fundit, shkruan Marca.

Ai është lodhur nga të qenët i fajësuar se ka gisht në transferimet dhe emërimet e trajnerëve në Barcelonë, pasi që në realitet ai nuk ka fuqi për ta diktuar politikën e klubit.

Para disa muajve, Gerard Pique gjithashtu e kishte kritikuar bordin drejtues të klubit për sugjerimet në media se lojtarët e Barcelonës e drejtonin klubin.

Në fillim të sezonit, Messi e kishte theksuar qëllimin e tij për ta mbyllur karrierën në Barcelonë, mirëpo ai gjithashtu e kishte theksuar se dëshiron të jetë pjesë e një projekti fitues.

Ai insistoi se kthimi i Neymarit do të mundë t’i ndihmonte skuadrës t’i arrijë qëllimet e veta, mirëpo vetëm Antoine Griezmanni iu bashkua klubi katalonas për ta përforcuar repartin e sulmit.

Ishte vetëm fat i keq që Luis Suarez dhe Ousmane Dembele pësuan të dy lëndime nga të cilat s’do të shërohen deri në fund të sezonit, mirëpo Messi është i irrituar që Barcelona nuk bleu përforcime gjatë janarit, kur u larguan disa lojtarë.

Së fundi, shprehjet e tij të fytyrës dhe sjellja e tij e tregojnë zemërimin që e ka mbajtur brenda vetes që disa muaj.

Për këtë arsye ai reagoi aq ashpër ndaj komenteve të Abidalit, i cili është arsyeja e fundit që e ka shtyrë argjentinasin të ndihet i lodhur nga problemet në Camp Nou.

Lumturia e Messit ka rëndësi të madhe për Barcelonën, pasi ai mund të vendosë t’i thotë mirupafshim klubi qysh këtë verë, edhe pa pëlqimin e klubit, përkundër që ka kontratë deri në vitin 2021.

Ai dëshiron të qëndrojë, por jo pa kushte. Tani atij po i grumbullohen gjithnjë e më shumë arsye për ta mbyllur derën prapa vetes dhe të largohet përfundimisht nga Camp Nou.