Pompeo: Partia Komuniste e Kinës, kercënimi kryesor i kohës tonë

Sekretari amerikan i Shteteve, Mike Pompeo vizitoi pesë vende gjatë javës së kaluar, duke filluar nga aleati i vjetër Britania e deri tek republikat ish-sovjetike në Azinë Qendrore. Edhe pse ishin vende kaq të ndryshme, mesazhi që ai u përcolli mikpritësve të tij ishte i njëjtë: Kujdes nga Kina.
Në turneun e tij në Evropë dhe Azinë Qendrore, zoti Pompeo denoncoi gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë, kritikoi praktikat e saj agresive tregtare dhe u bëri thirrje mikpritësve të tij që të jenë të kujdesshëm ndaj investimeve dhe ndikimit kinez. Ai paralajmëroi se Kina paraqet një rrezik tani qe vendet e ndryshme po zhvillojnë rrjetet e komunikimit të brezit të pestë 5G me shpejtësi të lartë.

Gjuha e tij ishte e hapur. “Partia Komuniste Kineze paraqet kërcënimin kryesor të kohës sonë”, tha zoti Pompeo javën e kaluar në Londër, vetëm disa ditë pasi Bashkimi Evropian shpalli udhëzimet e sigurisë për rrjetet 5G që, megjithatë, nuk e ndalojnë shprehimisht kompaninë Huawei, gjë që mund të shihet si një tjetër pengesë në fushatën amerikane kundër kompanisë kineze të teknologjisë.

Retorika e ashpër e sekretarit Pompeo, gjatë një udhëtim që përkonte me përhapjen e shpejtë të koronavirusit të ri me origjinë në Kinë dhe që kërcënon rritjen globale, nënvizon shqetësimin e tij ndaj politikave të Pekinit si dhe ndaj fitoreve të tij të fundit në fushën diplomatike dhe tregtare.
Komentet e tij bien ndesh me gjuhën më pajtuese të Presidentit Donald Trump për Kinën.

Kjo pjesërisht sepse Presidenti Trump po punon për të përfunduar një marrëveshje tregtare me Presidentin Xi Jinping. Kur nënshkroi fazën e parë të marrëveshjes muajin e kaluar, Presidenti Trump e quajti zotin Xi një “mik shumë, shumë të mirë” dhe tha se planifikon të vizitojë Kinën në një të ardhme jo shumë të largët.

Presidenti Trump tha në atë kohë se ai dhe Xi kanë “zhvilluar një marrëdhënie të jashtëzakonshme”.

Komentet e zotit Pompeo në Londër, megjithatë, ruajnë qëndrimin e ashpër që ai dhe Zëvendës Presidenti Mike Pence vazhdojnë të mbajnë ndaj Kinës, të nxitur kryesisht nga shtypja e Kinës ndaj myslimanëve dhe pakicave etnike në provincën e saj të Sinkiangut, por edhe nga ato që ata i quajnë praktika tregtare grabitqare të Pekinit apo projektet e zhvillimit që ata thonë se përbëjnë rrezik të madh për vendet e vogla dhe të varfëra.

Vizita e Pompeos në Britani erdhi vetëm 48 orë pasi Londra, e cila pret me padurim të sigurojë një marrëveshje të madhe tregtare me SHBA pas Brexitit, nuk i përfilli kërcënimet amerikane dhe e lejoi kompaninë Huawei të kishte një rol në rrjetin e saj 5G.

Zyrtarët e SHBA besojnë se siguria e informacionit në një rrjet që përdor teknologjinë ose pajisjet Huawei mund të rrezikohet.

SHBA vazhdon të lobojë tek aleatët evropianë për të ndaluar Huawei-n nga shqetësimi se kjo firmë mund të ndihmojë qeverinë kineze me përgjime elektronike. Kompania i ka mohuar pohime të tilla.

Zoti Pompeo e bëri të qartë se administrata Trump do të vazhdojë të përballet me Kinën në fronte të shumëfishta, përfshirë tregtinë, infrastrukturën dhe teknologjinë, fushën ushtarake dhe diplomatike, edhe pse administrata po punon për një fazë të dytë të një marrëveshje të madhe për t’i dhënë fund një lufte tregtare me Pekinin.